Zjarri pranë banesave, evakuohen familjet në fshatin Gojan i Madh në Pukë

Nacionale

Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të fshatit Gojan i Madh në Pukë, pasi zjarri iu afrua banesave pasditen e të enjtes. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar dy helikopterë dhe dhjetëra efektivë të shërbimit zjarrfikës. Ky ishte urdhri i autoriteteve pasi zjarri iu afrua shtëpive në fshatin Gojan i Madh […]

Madhësia e shkronjave

Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të fshatit Gojan i Madh në Pukë, pasi zjarri iu afrua banesave pasditen e të enjtes. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar dy helikopterë dhe dhjetëra efektivë të shërbimit zjarrfikës.

Ky ishte urdhri i autoriteteve pasi zjarri iu afrua shtëpive në fshatin Gojan i Madh të Pukës, pasditen e të enjtes.

Për shuarjen e flakëve që po shkrumbojnë bimësinë dhe kërcënojnë banesat janë angazhuar dy helikopterë, ndërsa në terren po punojnë dhjetëra efektivë të shërbimit zjarrfikës.

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga Bashkia e Pukës, familjet që do të evakuohen do të akomodohen në ambientet e përgatitura të Konviktit “Ali Bytyçi”, ku janë marrë masat për strehim të sigurt, ushqim dhe shërbim mjekësor.

Përveç fshatit Gojan i Madh, ku situata mbetet kritike edhe për shkak të erës së fortë, Ministria e Mbrojtjes njofton se vatra aktive zjarri ka edhe në Dajt, Lufaj, Gjorm të Sipërm, Tunjë të Re dhe Rraja e Velës.

Ndërkohë, Gurë-Lura dhe Qafë Helmesi vijojnë të mbahen nën monitorim, me situatën të stabilizuar dhe pa rrezik për zonat e banuara.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 9 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura po mbështesin operacionet me 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.