Manchester United ka nisur lëvizjet për të përforcuar krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa Alex Balde është shfaqur si një nga objektivat e klubit anglez në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës.
Sipas gazetarit të njohur për transferimet, Fabrizio Romano, Manchester United ka kontaktuar kampin e Baldes gjatë ditëve të fundit për të marrë informacione rreth situatës së mbrojtësit të Barcelonës dhe mundësisë së një transferimi.
“Djajtë e Kuq” e konsiderojnë përforcimin e krahut të majtë si një prej prioriteteve të tyre për pjesën e mbetur të afatit kalimtar dhe kanë nisur të shqyrtojnë alternativa të ndryshme për këtë pozitë.
Balde, në parim, është i kënaqur te Barcelona dhe dëshiron të vazhdojë aventurën në “Camp Nou”. Megjithatë, situata mund të ndryshojë nëse drejtuesit e klubit katalanas i bëjnë të ditur se nuk llogarisin më në shërbimet e tij dhe se ai duhet të gjejë një klub të ri.
Mbrojtësi 22-vjeçar është një prej produkteve të akademisë së Barcelonës dhe gjatë sezonit të kaluar ishte një nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës.
Balde zhvilloi 42 paraqitje në të gjitha garat, duke e nisur nga minuta e parë në 31 prej tyre.
Megjithatë, sezoni i tij u ndikua edhe nga problemet fizike, pasi mungoi për rreth dy muaj për shkak të një dëmtimi në muskujt e pasmë të kofshës.
Manchester United tani po monitoron nga afër situatën e tij. Kontakti me kampin e lojtarit shihet si një hap fillestar për të kuptuar nëse ekziston mundësia që Balde të largohet nga Barcelona këtë verë./Telegrafi/






