Tenisti kontrovers australian, Nick Kyrgios është pezulluar përkohësisht për shkak se rezultoi pozitiv për kokainë.
Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit të Tenisit (ITIA) konfirmoi se një mostër e dhënë nga Kyrgios më 22 qershor gjatë turneut të Mallorcas përmbante benzoilekgoninë, një metabolit të kokainës.

Mediumit britanik BBC raporton se Kyrgios ka qenë nën një pezullim të përkohshëm që nga 4 gushti.
Kyrgios shkroi në Instagram për të pranuar se kishte bërë një “gabim të madh” për të cilin merr “përgjegjësi të plotë”.
“Doja që këtë ta dëgjonit fillimisht nga unë. Së fundmi, dështova në një test antidoping në Mallorca, pasi rezultova pozitiv për kokainë. Kam bërë një gabim shumë të madh dhe marr përgjegjësi të plotë për të”.
“U kërkoj falje tifozëve të mi, familjes, sponsorëve dhe të gjithë njerëzve të afërt me mua. Mbi të gjitha, u kërkoj falje fëmijëve që më ndjekin. E di se çfarë shembulli jep kjo dhe jam thellësisht i zhgënjyer nga vetja”, ka shkruar ndër tjerash Kyrgios.
Për shkak të pezullimit, tenisti 31-vjeçar nuk lejohet të luajë, të punojë si trajner ose të marrë pjesë në turnetë Grand Slam dhe gara të tjera nën kujdesin e ATP dhe WTA.
ITIA tha se Kyrgios mund ta apelojë vendimin, por se ai nuk e ka përdorur këtë të drejtë deri më tani. /Telegrafi/





