Një pjesë e tifozëve të Schalkes në ‘Veltins Arena’ e vërshëllyen Marc Cucurellan në çdo prekje të topit, teksa ai debutoi me Real Madridin në ndeshjen e fundit miqësore të verës ndaj Schalke.
Cucurella zhvilloi minutat e tij të para me Los Blancos të dielën pasdite, dy muaj pasi u largua nga Chelsea për t’iu bashkuar gjigantit spanjoll, në një transferim që raportohet se kap vlerën e 60 milionë eurove.
Ishte një moment për t’u mbajtur mend për 28-vjeçarin, i cili realizoi ëndrrën e fëmijërisë për të luajtur për Real Madridin.
Mbrojtësi i krahut zëvendësoi Alvaro Carrerasin në minutën e 61-të, por u prit në mënyrë armiqësore nga tifozët gjermanë, të cilët e vërshëllyen në çdo prekje të topit.
Duket se një incident nga çerekfinalja e Euro 2024 mes Spanjës dhe Gjermanisë vazhdon të jetë ende i freskët në kujtesën e tifozëve që ishin të pranishëm në ndeshjen e së dielës në Gelsenkirchen.
Për ata që nuk e mbajnë mend, Spanja triumfoi 2-1 pas vazhdimeve, pasi Gjermanisë iu mohua një penallti në fund të kohës së rregullt, kur Cucurella dukej se e kishte bllokuar me dorë një goditje të Jamal Musialës.
Anthony Taylor, i cili gjykonte atë ndeshje, nuk akordoi penallti, duke vlerësuar se krahu i Cucurellas ishte pranë trupit të tij kur topi e goditi.
Vendimi u kritikua ashpër nga kampi gjerman dhe, më vonë, UEFA konfirmoi se vendimi ishte gabim dhe se Gjermanisë duhej t’i ishte akorduar penallti.
Megjithatë, vërshëllimat e vazhdueshme nuk e penguan Cucurellan që ta shijonte debutimin e tij me Real Madridin.
“Jam shumë i lumtur. Pas gjithë kësaj qëndron shumë punë dhe i gjithë përkushtimi që kam dhënë ndër vite ia ka vlejtur”, tha ai pas ndeshjes./Telegrafi/






