Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Themelores me të cilin i akuzuari Jetmir Sinani u dënua me 24 vjet burgim për vrasjen e dyfishtë në Vushtrri, duke refuzuar ankesat e palëve.
Në këtë rast, Jetmir Sinani akuzohej për vrasjen e F.Z. dhe L.M., më 2023 në Vushtrri, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më datë 1 Dhjetor 2025, Gjykata Themelore në Mitrovicë, edhe në rigjykim e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Sinani duke e dënuar me dënim unik 24 vjet burgim.
Ndaj këtij vendimi kishin parashtruar ankesë Prokuroria Speciale, përfaqësuest e palëve të dëmtuara, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit.

Palët i kishin elaboruar ankesat në seancën e kolegjit të Apelit më datë 2 prill 2026.
Sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke shtuar se ai është konkret, i qartë dhe e përshkruan në mënyrë të drejtë gjendjen faktike të vërtetuar.
“Kolegji vlerëson se edhe gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë nga ana e gjykatës së shkallës së parë dhe se asnjë fakt nuk ka ngelur pa u vërtetuar”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas Apelit, Gjykata Themelore ka vërtetuar se në ditën kritike kishte pasur një rrahje mes të akuzuarit, të ndjerëve, të dëmtuarit dhe tre personave të tjerë, ku edhe vetë i akuzuari kishte pësuar lëndime të lehta trupore.
Në vendim theksohet se, përmes dëshmive të dëshmitarëve okularë, si dhe provave materiale, është konstatuar drejt se ka ekzistuar dashja për kryerjen e veprës penale.
Sa i përket pretendimeve të mbrojtjes lidhur me ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit, Apeli i ka gjetur të njëjtat të pabazuara.
Sipas Apelit, përfundimet e ekzaminimit psikiatrik, me të cilat konstatohet se i akuzuari nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore, janë nxjerrë nga një grup i specializuar ekspertësh dhe janë të qarta, bindëse, të argumentuara dhe të mbështetura në prova shkencore.
Në vendim thuhet se nuk ka ekzistuar gjendja e tronditjes së fortë mendore, pasi në rastin konkret i akuzuari kishte qenë në gjendje të largohej nga vendi i ngjarjes, të merrte armën dhe ta përgatiste atë, më pas të kthehej në vendin e ngjarjes dhe të shtinte në drejtim të viktimave, për t’u kthyer sërish në shtëpinë e tij dhe për ta lënë armën.
Shkalla e dytë e ka vlerësuar si të pabazuar edhe pretendimin për mbrojtje të nevojshme, duke theksuar se rrethanat konkrete nuk i plotësojnë kushtet e këtij instituti, pasi i akuzuari, edhe pse kishte arritur t’i shmangej rrezikut të drejtpërdrejtë, ishte kthyer në vendin e ngjarjes.
Ndërkaq, sa i përket pretendimeve të palëve lidhur me vendimin mbi dënimin, Apeli ka theksuar se Gjykata Themelore i ka vlerësuar drejt të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.
Në gjykimin e parë më 20 janar 2025, Gjykata Themelore në Mitrovicë, Sinanin e dënoi me dënim unik prej 24 vjet burgim. Por, rasti është kthyer në rigjykim nga Apeli. Dënimin e njëjtë prej 24 vitesh burgim, Themelorja e shqiptoi ndaj Sinanit edhe në rigjykim më 1 dhjetor 2025.
Ndryshe, të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimi, Ilmi Shaqiri dhe Mergim Kameri, por ndaj tyre ishte veçuar procedura penale në Departament të Përgjithshëm – Dega në Vushtrri.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 27 korrik 2024 ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Jetmir Sinani, Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimi, Ilmi Shaqiri dhe Mergim Kameri.
Në pikën e parë të aktakuzës, Jetmir Sinani akuzohet se më 29 tetor 2023, rreth orës 15:50 në udhëkryqin e rrugëve “Mehmet Konjuhi”, “Rifat Galiza dhe “Zahir Pajaziti” në Vushtrri, me dashje ka privuar nga jeta viktimat F.Z. dhe L.M./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.





