Veton Tusha ka regjistruar një tjetër moment të rëndësishëm në aventurën e tij të re në futbollin slloven, duke e gjetur për herë të parë rrjetën në elitën e këtij kampionati.
Sulmuesi kosovar ishte titullar në përballjen e Celjes ndaj Naftës, të zhvilluar të shtunën në kuadër të javës së pestë, dhe nuk i nevojiteshin më shumë se tri minuta për të lënë gjurmë në ndeshje.
Tusha e zhbllokoi takimin që në minutën e tretë, duke i dhënë Celjes një epërsi të hershme. Në fund, skuadra e tij triumfoi me rezultat 3-1, duke arkëtuar tri pikë të rëndësishme në udhëtim.
23-vjeçari u largua nga fusha në minutën e 59-të, ndërsa kjo ishte paraqitja e radhës në të cilën ai kontribuon për Celjen.
Përveç golit të realizuar ndaj Naftës, Tusha tashmë ka edhe një asistim në kampionatin slloven.
Në këtë takim u aktivizua edhe një tjetër futbollist kosovar i Celjes. Milot Avdyli u inkuadrua në lojë në minutën e 70-të, duke kontribuar në fitoren e skuadrës.
Tusha iu bashkua Celjes gjatë muajit të kaluar, pasi u transferua nga Drita për shumën prej 250 mijë eurosh.
Paraqitja e tij në javët e para duket se po justifikon investimin e klubit slloven, ndërsa goli i parë në elitën e futbollit të Sllovenisë i jep atij një shtysë të rëndësishme për vazhdimin e sezonit./Telegrafi/






