Real Madridi është optimist se Vinicius Junior do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit edhe në vitet e ardhshme, pavarësisht se marrëveshja për rinovimin e kontratës ende nuk është arritur.
Sipas raportimeve nga MARCA dhe mediave tjera, takimi i zhvilluar sot mes përfaqësuesve të futbollistit brazilian dhe drejtuesve të klubit është konsideruar shumë pozitiv nga të dyja palët dhe ka sjellë përparim të rëndësishëm në negociata.
Agjentët e kompanisë Roc Nation, që përfaqësojnë Viniciusin, kanë zhvilluar bisedime me Real Madridin për të sqaruar të ardhmen e yllit brazilian. E njëjta kompani menaxhon edhe sulmuesin Yan Diomande, transferimi i të cilit nga RB Leipzig drejt Real Madridit është shumë pranë finalizimit.
Kontrata aktuale e Viniciusit me Real Madridin skadon më 30 qershor dhe negociatat për vazhdimin e saj kanë qenë të bllokuara për gati një vit. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë rikthyer optimizmin brenda klubit madrilen.
Edhe pse ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare, personat pranë futbollistit janë të bindur se rinovimi do të arrihet dhe se Vinicius do të vazhdojë karrierën në Santiago Bernabeu.
Arsenali ka shfaqur interes për brazilianin dhe mbetet në garë, por raportimet nga Anglia sugjerojnë se transferimi i tij në Ligën Premier është bërë më i komplikuar, pasi lojtari vazhdon të ketë prioritet qëndrimin te Real Madridi.
Klubi spanjoll më herët ka paraqitur një ofertë të fundit për rinovim dhe ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të ndryshojë shumë kushtet e propozuara. Megjithatë, bisedimet e fundit kanë krijuar një atmosferë më pozitive dhe Reali beson se numri 7 do të firmosë kontratën e re. /Telegrafi/






