“Goli ishte i shkëlqyer, por më pëlqeu qëndrimi i tij” – Spalletti me fjalë të mëdha për Zhegrovën

Sport

Edon Zhegrova vazhdon të jetë një nga emrat më të spikatur te Juventusi gjatë fazës përgatitore, pasi shkëlqeu edhe në fitoren 1-0 ndaj Chelseat në miqësoren e zhvilluar në Hong Kong. Sulmuesi i Kosovës realizoi golin e vetëm të takimit pas një asisti të Kenan Yildiz, ndërsa paraqitja e tij u vlerësua maksimalisht edhe nga […]

Madhësia e shkronjave

Edon Zhegrova vazhdon të jetë një nga emrat më të spikatur te Juventusi gjatë fazës përgatitore, pasi shkëlqeu edhe në fitoren 1-0 ndaj Chelseat në miqësoren e zhvilluar në Hong Kong.

Sulmuesi i Kosovës realizoi golin e vetëm të takimit pas një asisti të Kenan Yildiz, ndërsa paraqitja e tij u vlerësua maksimalisht edhe nga trajneri Luciano Spalletti.

Italiani theksoi se nuk e çmon vetëm golin e Zhegrovës, por edhe angazhimin dhe mënyrën se si ai u paraqit gjatë gjithë ndeshjes.

“Zhegrova shënoi një gol të shkëlqyer, por gjëja më e rëndësishme ishte paraqitja dhe qëndrimi i tij gjatë gjithë ndeshjes”.

“Ai e humbi topin disa herë, por njëkohësisht tregoi se çfarë është në gjendje të bëjë kur e ka topin në këmbë. Një futbollist nuk duhet të ndalet kurrë së punuari për t’u bërë më i fortë”, deklaroi Spalletti.

Organizatorët e shpallën Zhegrovën lojtarin e ndeshjes, pasi përveç golit, ai kishte edhe momente shumë të bukura gjatë ndeshjes.

Paraqitja e reprezentuesit të Kosovës nuk kaloi pa u vënë re as nga klubi bardhezi, ku në kanalet zyrtare publikoi disa video me momentet më të mira të tij, ku shfaqeshin driblimet, aksionet individuale dhe goli që vendosi takimin ndaj Chelseat.

Kjo ishte një tjetër provë bindëse për 27-vjeçarin, i cili po fiton gjithnjë e më shumë besimin e Spallettit në prag të sezonit të ri, pavarësisht spekulimeve të fundit për të ardhmen e tij.

Juventusi do ta vazhdojë turneun parasezonal më 8 gusht, kur do të përballet me Interin në një tjetër miqësore prestigjioze, ku pritet që Zhegrova të ketë sërish mundësinë të konfirmojë formën e shkëlqyer që ka treguar në javët e fundit. /Telegrafi/