Microsoft paralajmëron për fushatë spiunazhi kibernetik – hakerët rusë po shënjestrojnë mysafirët e hoteleve

Bota

Microsoft ka paralajmëruar për një fushatë të organizuar spiunazhi kibernetik, e cila sipas kompanisë lidhet me shërbimet ruse të inteligjencës dhe synon mysafirët e hoteleve, qendrave të konferencave dhe vendeve të tjera publike. Sipas paralajmërimit, objektivat kryesore janë zyrtarët shtetërorë dhe punonjësit e kompanive që udhëtojnë për arsye pune. Pas lidhjes me rrjetin Wi-Fi të […]

Madhësia e shkronjave

Microsoft ka paralajmëruar për një fushatë të organizuar spiunazhi kibernetik, e cila sipas kompanisë lidhet me shërbimet ruse të inteligjencës dhe synon mysafirët e hoteleve, qendrave të konferencave dhe vendeve të tjera publike.

Sipas paralajmërimit, objektivat kryesore janë zyrtarët shtetërorë dhe punonjësit e kompanive që udhëtojnë për arsye pune.

Pas lidhjes me rrjetin Wi-Fi të hotelit, përdoruesve u shfaqet një njoftim i rremë për përditësimin e shfletuesit ose sistemit operativ.

Në vend të përditësimit, në pajisje instalohet një program keqdashës (malware), i cili mund të vjedhë fjalëkalime, dokumente dhe të dhëna të tjera të ndjeshme.

Ai gjithashtu mund të regjistrojë çdo tast të shtypur dhe të aktivizojë kamerën dhe mikrofonin pa dijeninë e përdoruesit, shkruan abcnews.

Microsoft vlerëson se nuk bëhet fjalë për sulme të izoluara, por për një operacion të koordinuar spiunazhi kibernetik me objektiva të përzgjedhur.

Ekspertët u bëjnë thirrje udhëtarëve që të mos instalojnë përditësime të softuerit përmes dritareve që shfaqen pas lidhjes me rrjete publike Wi-Fi dhe të përdorin vetëm burime zyrtare për përditësimin e pajisjeve, pasi një lidhje falas me internetin mund të shndërrohet në një rrezik serioz për sigurinë e të dhënave. /Telegrafi/