Al-Ittihad po përpiqet t’ia rrëmbejë Trabzonsporit transferimin e Mohamed Salahut, raporton gazetari egjiptian Ismael Mahmoud i WinWin.
Sipas raportimit, klubi nga Arabia Saudite po punon për të siguruar fondet e nevojshme, me synimin që në orët ose ditët në vijim t’i paraqesë një ofertë konkurruese ish-sulmuesit të Liverpoolit.

Qëllimi i Al-Ittihadit është të pengojë finalizimin e marrëveshjes mes Salahut dhe Trabzonsporit, duke e bindur reprezentuesin egjiptian që ta vazhdojë karrierën në Ligën Profesionale Saudite.
Raportimet e fundit nga Turqia kanë bërë të ditur se Trabzonspori ka arritur marrëveshje me 34-vjeçarin për një kontratë dyvjeçare, ndërsa palët janë duke diskutuar vetëm detajet financiare të marrëveshjes.
Megjithatë, e ardhmja e Salahut ende nuk konsiderohet e vendosur, pasi Al-Ittihadi vazhdon përpjekjet për ta ndryshuar rrjedhën e negociatave me një ofertë të minutave të fundit.
Interesimi i klubit saudit për Salahun nuk është i ri. Në vitin 2023, Al-Ittihadi kishte bërë një ofertë që arrinte deri në 150 milionë funte për ta transferuar nga Liverpooli, por ajo ishte refuzuar nga klubi anglez.
Pas largimit të Salahut nga Anfield në fund të sezonit të kaluar, Al-Ittihadi mbeti një nga klubet më të interesuara për shërbimet e tij, së bashku me disa skuadra nga Arabia Saudite dhe Turqia./Telegrafi/





