Ish-përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, beson se Vedat Muriqi do të ketë një sezon të jashtëzakonshëm me Fenerbahçen, duke parashikuar se sulmuesi kosovar do të realizojë të paktën 20 gola gjatë edicionit 2026/27. Ndërsa në konferencë për shtyp, sot trajneri i Fenerbahçes, Ismail Kartal, konfirmoi se sulmuesi i Kosovës, do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen me Sturm Graz në Ligën e Kampionëve.
Në një intervistë për gazetarin Muhammet Duman në mediumin “Turkiye Gazetesi”, Bunjaki kujtoi se kishte dalluar potencialin e Muriqit që në fillimet e tij, kur sulmuesi luante në kategorinë e dytë të futbollit turk dhe përfaqësonte Shqipërinë U21.
“Kur u bëra selektor i Kosovës, një nga synimet tona ishte të kishim dy sulmues të fortë fizikisht, të gjatë dhe teknikisht të talentuar. Në atë kohë Vedati luante në divizionin e dytë turk, por unë e dallova menjëherë potencialin e tij”.
“Besoja se ky profil sulmuesi ishte shumë i rrallë në futbollin evropian dhe koha e ka vërtetuar këtë. Sot, Vedati është padyshim një nga sulmuesit më të mirë në Evropë”, ka deklaruar Bunjaki.
Bunjaki i bindur që Muriqi do të shënojë 20 gola
55-vjeçari, i cili e drejtoi Kosovën nga viti 2009 deri në vitin 2017, u shpreh i bindur se rikthimi i Muriqit te Fenerbahçe do të jetë i suksesshëm.
“Vedati gjithmonë e ka vendosur suksesin e ekipit mbi arritjet personale. Ai është një futbollist i pjekur që nuk luan për statistika”.
“Nëse nuk pëson ndonjë dëmtim, besoj se do ta mbyllë sezonin mes tre golashënuesve më të mirë të Superligës së Turqisë. Nëse duhet të jap një numër, mendoj se ai ka kapacitet të shënojë të paktën 20 gola”, shtoi ai.
Kartal: Muriqi do të jetë në listë për takimin me Sturm Graz
Ndërkohë, trajneri i Fenerbahçes, Ismail Kartal, konfirmoi se Muriqi do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e parë ndaj Sturm Grazit në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
“Do ta përfshijmë Vedat Muriqin në skuadër. Kemi kohë deri në orën 11:50 sonte për listën. Si ekip jemi shumë të lumtur me të gjithë lojtarët tanë. Të gjithë janë të rëndësishëm për ne dhe kemi nevojë për secilin prej tyre”, deklaroi Kartal.
Muriqi u rikthye këtë verë te Fenerbahçe pas një periudhe të suksesshme me Mallorcan, ndërsa mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Kosovës me 32 gola në 68 paraqitje.
Tani, pritshmëritë janë që ai ta udhëheqë edhe gjigantin turk drejt një sezoni të suksesshëm në garat vendore dhe evropiane. /Telegrafi/






