Ish-kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, beson se klubi anglez ende ka nevojë për përforcime të tjera para mbylljes së afatit kalimtar, duke paralajmëruar se skuadra duhet të përmirësohet ndjeshëm para sezonit të ri.
Liverpooli tashmë ka bërë disa lëvizje nën drejtimin e trajnerit të ri Andoni Iraola, duke transferuar Jeremy Jacquet dhe Victor Munoz, por asnjëri prej tyre nuk ka debutuar ende në ndeshjet parasezonale.

Megjithatë, Gerrard mendon se puna në afatin kalimtar nuk ka përfunduar, sidomos pas një sezoni zhgënjyes nën drejtimin e Arne Slot, ku “Reds” nuk arritën të ishin në nivelin e kërkuar për të luftuar për trofe të mëdhenj.
“Jam i kënaqur me atë që është bërë deri tani, por e di edhe sfidën që e pret Andoni Iraolan. Mendoj se Liverpooli ishte shumë larg nivelit të duhur sezonin e kaluar. Nëse jemi të sinqertë, diferenca ishte e madhe”.
“Skuadra ka nevojë për ndërhyrje të mëdha dhe duhet të rregullojë disa balanca. Duhet të rikthehen disa lojtarë në formën e tyre më të mirë dhe lojtarët kryesorë duhet të jenë në nivelin që kërkohet”, ka thënë Gerrard.
Legjenda e Liverpoolit megjithatë shprehu optimizëm për epokën e re nën drejtimin e Iraolas, duke theksuar se ardhja e trajnerit të ri ka sjellë entuziazëm te klubi.
“Ka shumë punë për t’u bërë te Liverpooli, por sa i përket emocionit dhe energjisë që sjell trajneri i ri, jam plotësisht me të”, përfundoi Gerrard. /Telegrafi/





