Ditët dhe muajt e parë të jetës së një foshnje janë një periudhë e mbushur me emocione, por edhe me shumë dilema për prindërit e rinj. Ushqyerja, gjumi, temperatura e ambientit, verdhëza, kërthiza, vaksinat dhe kujdesi gjatë verës ishin disa nga temat kryesore të episodit të 83-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati”.
I ftuar në këtë episod ishte Luan Morina, neonatolog dhe drejtor i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, i cili foli për sfidat më të shpeshta me të cilat përballen prindërit në ditët e para pas lindjes së foshnjës.
Në fillim të bisedës, Morina tha se ardhja e një fëmije në jetë është një moment i jashtëzakonshëm për prindërit, por që shpesh shoqërohet edhe me pasiguri.
“Ardhjen e një fëmije, përveçse e përcjell me kënaqësi, pak e përcjellin me stres”, tha ai, duke shtuar se prindërit e rinj shpesh pyesin veten si duhet të sillen dhe çfarë duhet të bëjnë.
Duke folur për momentet e para pas lindjes, neonatologu theksoi rëndësinë e të qarës së parë të foshnjës. Sipas tij, ky është një nga momentet më të rëndësishme, sepse tregon se foshnja ka filluar të adaptohet me jetën jashtë barkut të nënës.
“Momenti i parë kur ne gëzohemi që qan fëmija është kur lind”, tha Morina.
Ai shpjegoi se e qara e parë tregon për një kondicion të mirë, për adaptim të mirë dhe për fillimin e frymëmarrjes së pavarur.
“Në momentin e parë që foshnja qan, ai është momenti i parë kur foshnja edhe merr frymë vetë”, u shpreh ai.
Një pjesë e rëndësishme e podcastit iu kushtua ushqyerjes së foshnjës.
Morina tha se një nga shqetësimet kryesore të prindërve është nëse foshnja po pi mjaftueshëm dhe nëse po ushqehet si duhet.
Ai theksoi se profesionistët shëndetësorë insistojnë që, sa herë është e mundur, foshnjat të ushqehen me gji.
“Gjithmonë insistojmë që foshnjat të ushqehen me gji”, tha neonatologu.
Sipas tij, pas lindjes, prindërve u jepen këshilla për temperaturën e foshnjës, temperaturën e ambientit, ushqyerjen, jashtëqitjen, urinimin dhe ndryshimet që mund të vërehen në ngjyrën e lëkurës.
Ai tha se foshnja duhet të ushqehet me një orar të caktuar dhe jo çdo herë që qan.
“Duhet të ushqehet në kohë, jo sa herë foshnja qan”, tha ai, duke shpjeguar se rekomandohet që foshnja të ushqehet së paku çdo tri orë, ose rreth tetë racione brenda 24 orëve.
Morina tregoi se një nga shenjat më të rëndësishme që foshnja po ushqehet mirë është shtimi në peshë. Përveç kësaj, prindërit duhet të përcjellin nëse foshnja është e qetë, nëse lag pelenat, nëse ka jashtëqitje dhe nëse ka ngjyrë të mirë të lëkurës.
“Si parametër kryesor gjithmonë themi: shtimin e peshës”, theksoi ai.
Në podcast u diskutua edhe për temperaturën e ambientit ku qëndron foshnja.
Morina tha se foshnja nuk duhet as të ketë ftohtë dhe as të nxehtë, ndërsa temperatura optimale e ambientit duhet të jetë rreth 25 gradë, me tolerancë deri në 27 gradë, varësisht nga veshja.
Ai dha edhe një këshillë praktike për prindërit: foshnja zakonisht duhet të ketë vetëm një rrobë më shumë se nëna.
“Foshnja duhet vetëm një rrobë më shumë se nëna”, tha ai.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte mbajtja e foshnjës pas ushqyerjes. Dr. Morina tha se rekomandohet që foshnja të mbahet pak në krah pas pirjes, për t’i ndihmuar lirimin e ajrit të tepërt.
Sipas tij, gjatë ushqyerjes foshnja nuk merr vetëm qumësht, por edhe ajër, i cili mund të shkaktojë parehati, gërçe apo kthim të qumështit.
“Pas ushqyerjes, veprimi i parë që duhet të bëjmë është ta mbajmë pak në krah, të bëjmë një masazh në shpinë dhe aq sa kemi mundësi t’ia lirojmë ajrin”, shpjegoi neonatologu.
Ai foli edhe për verdhëzën te të porsalindurit, duke sqaruar se ajo mund të jetë fiziologjike nëse shfaqet pas 24 orëve të para, por duhet vlerësuar nga mjeku nëse paraqitet më herët.
“Verdhëza, normalisht, në kushte normale nuk do të paraqitet para 24 orëve të para”, tha ai.
Sipas Morinës, shumica e rasteve të verdhëzës fiziologjike lidhen edhe me ushqyerjen jo të mjaftueshme, pasi kur foshnja nuk pi mirë, bilirubina mund të mos largohet si duhet nga organizmi.
Në bisedë u trajtua edhe gjumi i foshnjës. Neonatologu theksoi se gjumi është shumë i rëndësishëm për rritjen, zhvillimin dhe funksionimin e mirë të organizmit.
“Gjatë procesit të gjumit ndodhin shumë procese të rëndësishme te fëmijët”, tha ai, duke shtuar se gjatë gjumit lirohet hormoni i rritjes dhe ndihmohet zhvillimi i sistemit nervor.
Morina foli edhe për një zakon të përhapur në familjet tona: vizitat pas lindjes dhe dëshira për ta përqafuar apo puthur foshnjën. Ai tha se në ditët e para foshnja është shumë e ndjeshme dhe nuk duhet ekspozuar ndaj shumë njerëzve.
“Dhurata më e mirë është që të mos ekspozohen shumë afër foshnjës, të mos shkojnë ta marrin foshnjën, ta përqafojnë”, tha ai.
Sipas tij, foshnjat e porsalindura nuk mund t’i përballojnë njësoj si të rriturit viruset, gripin, të ftohurit apo faktorët e tjerë të rrezikut. Ai rekomandoi që ambienti ku qëndron foshnja të jetë i pastër, i ajrosur dhe jo i mbushur me shumë njerëz.
Një tjetër temë praktike ishte kujdesi ndaj kërthizës.
Morina tha se kërthiza nuk duhet parë si problem, por duhet mbajtur e pastër për të shmangur infeksionet.
Sipas tij, ajo zakonisht thahet dhe bie brenda 7 deri në 10 ditëve të para.
“Kërthiza normalisht shtatë deri në dhjetë ditët e para përthahet dhe mund të bie”, tha ai.
Në podcast u fol edhe për vaksinimin. Neonatologu bëri apel që prindërit t’i respektojnë vaksinat sipas kalendarit të vaksinimit dhe të mos bien pre e frikës apo miteve të pabazuara shkencërisht.
“Këshilla ime si pediatër, si neonatolog, është që të gjithë fëmijët të vaksinohen me të gjitha vaksinat sipas kalendarit që ne i kemi”, tha Dr. Morina.
Ai u ndal veçanërisht te vaksina që jepet rreth vitit të parë të jetës dhe që lidhet me fruthin, shytat dhe rubeolën, duke thënë se në aspektin shkencor nuk ka lidhshmëri mes saj dhe autizmit.
“Në aspektin shkencor nuk ka lidhshmëri. Prandaj, bëj thirrje që pa hezitim t’i vaksinojnë”, theksoi ai.
Duke folur për stinën e verës, Morina tha se prindërit nuk duhet të mendojnë se viruset janë problem vetëm i dimrit. Sipas tij, edhe vera ka viruset e veta, sidomos ato që prekin traktin gastrointestinal.
Ai tha se gjatë verës foshnjat mund të ekspozohen më shumë ndaj infeksioneve për shkak të lëvizjeve, pushimeve, pishinave dhe ambienteve të ndryshme.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:






