Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar mbështetjen e të gjitha partive parlamentare për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Hamza tha se PDK-ja i ka informuar paraprakisht subjektet e tjera politike, përfshirë LVV-në, LDK-në dhe Aleancën, për nismën e saj dhe u ka kërkuar mbështetje.
“Unë i kam informuar që do të procedojmë me këtë projektligj dhe ju kam kërkuar mbështetje. Mbështetja e tyre do të tregohet brenda procedurave të Kuvendit. Edhe sot po i lut për përkrahje të këtij ligji, sepse kjo çështje i tejkalon përmasat e një subjekti politik e të një mandati të një qeverie”, tha Hamza.

Ai theksoi se, sipas tij, çështja lidhet me historinë e Kosovës dhe kërkoi që ajo të trajtohet në atë mënyrë që, siç u shpreh, “të mos rishkruhet historia”.
Hamza bëri të ditur se PDK-ja aktualisht ka 22 nënshkrime për nismën, ndërsa për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme nevojiten 40 nënshkrime.
“Ne i kemi 22 nënshkrime, seanca e jashtëzakonshme kërkon 40 nënshkrime. Ne paraprakisht duhet të kemi garanci të qarta, përndryshe ligji, në çfarëdo opsioni, ka me u trajtu në Kuvend”, deklaroi ai.
Kryetari i PDK-së tha se kjo nismë do të mbetet prioritet i partisë së tij dhe se projektligji nuk do të tërhiqet.
“Ne si PDK do ta kemi prioritet gjithmonë. Ky ligj, pa ardhë me u trajtu në Kuvend, nuk tërhiqet. Deputetët duhet me përkrahë me votë pozitive, e dinë ata kujt po i referohem”, tha Hamza.
Ai shtoi se PDK-ja do ta trajtojë projektligjin në kohën e duhur, pavarësisht zhvillimeve të tjera politike. /Telegrafi/





