Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar pas vendimit të anëtarësisë së partisë për vazhdimin e mandatit të kryetarit aktual, Lumir Abdixhikut.
Zemaj ka thënë se 51 për qind e delegatëve të pranishëm u shprehën në favor të vazhdimit të mandatit, duke theksuar se ky është një vendim politik që duhet respektuar.
“LDK mbetet e vetmja shtëpi e demokracisë në Kosovë, ku anëtarësia vendos me votën e saj”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka shtuar se vazhdon të besojë se vetëm një LDK e fuqishme mund t’i shërbejë një Kosove të fortë, ndërsa ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët për ringritjen e partisë.
“Përkushtimin për ringritjen e LDK-së e kemi obligim të gjithë”, ka përfunduar ai.
Ndërkohë, gjatë ditës ka reaguar edhe deputetja Hykmete Bajrami. Ajo ka pranuar se ishte pjesë e delegatëve që kërkuan ndryshim në LDK.
“Po, unë isha në mesin e 152 delegatëve që besuam se LDK-së i duhet ndryshimi, por ishin 170 të tjerë, të cilët mbrëmë patën mendim ndryshe”, ka shkruar Bajrami.
Ndryshe, Abdixhiku i ka mbijetuar nismës për shkarkimin e tij nga kreu i LDK-së, duke siguruar mbështetjen e shumicës së delegatëve në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.
Kujtojmë se 170 delegatë votuan kundër shkarkimit të Abdixhikut, duke mbështetur vazhdimin e mandatit të tij si kryetar. Ndërkaq, 152 delegatë votuan për shkarkimin dhe pesë fletëvotime u shpallën të pavlefshme. /Telegrafi/





