Aktori që luajti një nga gjigantët në filmin e Christopher Nolan, “The Odyssey”, Lloyd Ejimbe, ka prekur ndjekësit me një histori të veçantë pasi e fejuara e tij i organizoi një premierë surprizë, pasi çifti nuk mori ftesë për premierën zyrtare të filmit.
Nneka Muotto përgatiti bileta të personalizuara me foton e Lloyd nga filmi dhe e çoi në kinema në O2 Arena në Londër për ta parë filmin.
Në fund të shfaqjes, ajo iu drejtua publikut duke thënë se i fejuari i saj ishte një nga gjigantët në film, gjë që u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga të pranishmit.

Lloyd, i cili është 2.11 metra i gjatë, interpreton një nga gjigantët që përballen me personazhin e Odiseut, të luajtur nga Matt Damon.
Ai ndau videon në Instagram, duke shkruar se, nëse Hollywood-i nuk të fton në premierë, mund ta krijosh vetë një të tillë.
Ai falënderoi gjithashtu Christopher Nolan dhe ekipin e filmit për mundësinë që iu dha të ishte pjesë e këtij produksioni.
“The Odyssey” ka rezultuar një sukses i madh në arkëtime, duke fituar mbi 667 milionë dollarë në mbarë botën vetëm pak javë pas daljes në kinema.
Filmi ka një kastë yjesh, ku përfshihen Matt Damon, Anne Hathaway, Tom Holland, Zendaya, Robert Pattinson, Charlize Theron, Samantha Morton, Jon Bernthal dhe Benny Safdie.
Ndërkohë, kërkesa për bileta, veçanërisht për shfaqjet në ekranet 70mm IMAX, vazhdon të jetë jashtëzakonisht e lartë. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com





