Vetëm një qese patatina në ditë mund të rrisë rrezikun e demencës dhe të dobësojë vëmendjen

shendetesi

Studimi i ri ngre alarmin për ushqimet ultra të përpunuara: edhe një rritje e vogël e konsumit ditor lidhet me dobësim të përqendrimit dhe funksioneve njohëse, ndërsa as një dietë përgjithësisht e shëndetshme mund të mos e neutralizojë plotësisht efektin Sipas studimit, të realizuar nga studiuesit e Universitetit Monash në Australi dhe të publikuar në […]

Madhësia e shkronjave

Studimi i ri ngre alarmin për ushqimet ultra të përpunuara: edhe një rritje e vogël e konsumit ditor lidhet me dobësim të përqendrimit dhe funksioneve njohëse, ndërsa as një dietë përgjithësisht e shëndetshme mund të mos e neutralizojë plotësisht efektin

Sipas studimit, të realizuar nga studiuesit e Universitetit Monash në Australi dhe të publikuar në revistën Alzheimer’s & Dementia: Diagnosis, Assessment & Disease Monitoring, një rritje prej 10 për qind e konsumit ditor të ushqimeve ultra të përpunuara lidhet me dobësimin e vëmendjes dhe me një rrezik më të lartë për demencë, krahas më shumë se 30 pasojave të tjera të pafavorshme për shëndetin.

Duke u bazuar në konsumin mesatar të ushqimit të popullsisë në Australi, ku u zhvillua studimi, studiuesit analizuan ndikimin që mund të ketë një sasi prej rreth 150 gramësh ushqime ultra të përpunuara në ditë.

“Për t’i vendosur rezultatet tona në një kontekst më të kuptueshëm, një rritje prej 10 për qind e konsumit të ushqimeve ultra të përpunuara është afërsisht e barabartë me shtimin e një pakete standarde patatinash në ushqimin e përditshëm”, shpjegon dr. Barbara Cardoso, autorja kryesore e studimit, transmeton Telegrafi.

Ushqimi i shëndetshëm nuk e neutralizon domosdoshmërisht dëmin

Ushqimet ultra të përpunuara dallojnë nga ushqimet e zakonshme si për nga përbërja, ashtu edhe nga mënyra e prodhimit.

Në këtë kategori hyjnë produkte si patatinat e paketuara, makaronat instant, pijet energjike dhe ushqimet e gatshme të ngrira. Në studim, ato përshkruhen si “formulime industriale të përbëra nga përbërës të rafinuar dhe aditivë, me përmbajtje minimale të ushqimeve të plota”.

Këto produkte zakonisht përmbajnë konservues, ëmbëltues, yndyra, emulsifikues dhe ngjyrues artificialë.

Studimi gjithashtu tregoi se efektet negative që lidhen me një rritje relativisht të vogël të konsumit të përditshëm të ushqimeve ultra të përpunuara nuk neutralizohen domosdoshmërisht nga pjesa tjetër e një diete të shëndetshme.

Pjesëmarrësit në studim ndiqnin edhe parimet e dietës mesdhetare, e cila mbështetet kryesisht në ushqime të shëndetshme dhe konsiderohet një tregues i mirë i cilësisë së të ushqyerit, i lidhur në mënyrë të vazhdueshme me shëndetin më të mirë të trurit dhe funksioneve njohëse.

Ushqimet ultra të përpunuara po zënë gjithnjë e më shumë vend në dietën e përditshme. Sipas të dhënave të cituara në studim, në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar këto produkte përbëjnë rreth gjysmën e kalorive totale të konsumuara nga popullsia. /Telegrafi/