Lionel Scaloni ka refuzuar të spekulojë për të ardhmen e Lionel Messit me kombëtaren e Argjentinës, në prag të finales së Kupës së Botës ndaj Spanjës.
Përzgjedhësi i Argjentinës theksoi se vetëm kapiteni e di nëse do të vazhdojë të luajë për përfaqësuesen pas përfundimit të këtij turneu, teksa spekulimet për pensionimin e tij janë shtuar ndjeshëm.
Argjentina hyn në finalen e Kupës së Botës kundër Spanjës mes shumë pikëpyetjeve nëse Messi do të zhvillojë ndeshjen e tij të fundit me fanellën e kombëtares. Duke folur në një konferencë për shtyp në Neë York të premten, Scaloni pranoi se nuk ka asnjë ide për planet e kapitenit të tij pas turneut.

Kjo pasiguri vjen pavarësisht një tjetër turneu të jashtëzakonshëm nga 39-vjeçari. Messi ka shënuar tetë gola dhe ka dhuruar katër asistime, duke ndarë vendin e parë në garën për Këpucën e Artë me francezin Kylian Mbappe.
Ai ishte gjithashtu vendimtar në fitoren 2-1 të Argjentinës ndaj Anglisë në gjysmëfinale, duke udhëhequr ekipin me një tjetër paraqitje të shkëlqyer.
Me zërat për pensionimin që dominojnë atmosferën para finales së së dielës, Scaloni u pyet nëse pret që Messi të vazhdojë të përfaqësojë Argjentinën. Trajneri kampion bote i vitit 2022 e bëri të qartë se vendimi i takon vetëm kapitenit të tij.
“Çfarë di unë? Pyeteni atë. Sinqerisht, nuk kam as idenë më të vogël. Ai nuk ndalon së na surprizuari”.
Përzgjedhësi argjentinas foli edhe për arritjet e skuadrës së tij para finales, duke zbuluar se kishte biseduar me lojtarët për t’i falënderuar për sukseset e vazhdueshme që kanë arritur gjatë viteve të fundit.
“Është shumë e vështirë të arrish diçka të tillë. Ata kanë realizuar gjëra që dikur dukeshin krejtësisht të paimagjinueshme. Dje u thashë se kishin bërë diçka të pabesueshme dhe se u jam thellësisht mirënjohës”.
“Unë dhe i gjithë stafi im do t’u jemi mirënjohës përgjithmonë. Nuk ishte aspak e lehtë të arrinim deri në këtë fazë të Kupës së Botës dhe të konkurronim për kaq shumë vite në këtë nivel. Mendoj se kjo është diçka e mrekullueshme”.
“Shpresoj ta fitojmë finalen, por edhe nëse nuk ndodh, ky rrugëtim ka qenë i jashtëzakonshëm dhe një shembull për të gjithë. Shpresoj që kjo të shërbejë si frymëzim për popullin dhe vendin tonë”./Telegrafi/





