Një studim i ri zbulon se pas operacionit bariatrik alkooli përthithet shumë më shpejt, kthjellja zgjat më tepër dhe mundësia për probleme me varësinë rritet ndjeshëm
Megjithëse zvogëlimi kirurgjikal i stomakut për shumë njerëz është një zgjidhje që shpëton jetë në luftën kundër obezitetit, një studim i ri paralajmëron se ky transformim i trupit sjell edhe një rrezik të papritur – alkoolizmin.
Studimi i ri, i publikuar në mesin e qershorit në revistën International Journal of Obesity, sjell përfundime të rëndësishme për mënyrën se si kirurgjia bariatrike, përkatësisht zvogëlimi i stomakut për shkak të obezitetit, ndryshon rrënjësisht mënyrën se si organizmi e përpunon alkoolin.
Sipas studiuesve norvegjezë që e realizuan studimin, pas operacionit pacientët e përthithin alkoolin shumë më shpejt, gjë që mund t’i bëjë më të prirur ndaj zhvillimit të varësisë.

“Kirurgjia bariatrike mund ta ketë çmimin e vet. Pacientët kanë rrezik dukshëm më të madh për të zhvilluar probleme me alkoolin sesa do të kishin po të mos i nënshtroheshin operacionit”, paralajmëron dr. Magnus Strømmen, studiuesi kryesor nga Qendra për Kërkime mbi Obezitetin në Spitalin Universitar të Trondheimit, në Norvegji.
Kirurgjia bariatrike përfshin ndryshime në madhësinë dhe funksionimin e stomakut, si dhe në punën e sistemit tretës. Ndërhyrjet më të zakonshme, si gastrektomia “sleeve”, e njohur edhe si gastrektomia në formë mëngë, dhe bajpasi gastrik, kufizojnë sasinë e ushqimit që mund ta mbajë stomaku dhe ndikojnë drejtpërdrejt në hormonet e zorrëve që rregullojnë urinë dhe ndjenjën e ngopjes.
Pasojat e zvogëlimit të stomakut: Dehja dy herë më shpejt, kthjellja shumë më gjatë
Për nevojat e studimit, hulumtuesit ndoqën 33 persona që iu nënshtruan një operacioni bariatrik në Spitalin St. Olavs në Trondheim. Pacientët kryen teste të posaçme me alkool para operacionit dhe më pas tre, 12 dhe 36 muaj pas ndërhyrjes.
Gjatë secilit test laboratorik, pjesëmarrësit konsumuan doza të matura saktësisht të një kokteji me vodkë dhe lëng portokalli, ndërsa niveli i alkoolit në gjak u monitorua vazhdimisht.
Rezultatet ishin alarmante: edhe kur konsumonin të njëjtën sasi alkooli si para operacionit, pacientët deheshin shumë më shpejt dhe në një shkallë dukshëm më të madhe, ndërsa procesi i kthjelljes zgjaste shumë më gjatë.
“Gjetjet tona tregojnë se përthithja e alkoolit pothuajse dyfishohet, si pas bajpasit gastrik, ashtu edhe pas gastrektomisë ‘sleeve’. Ndoshta edhe më i rrezikshëm dhe më pak i dukshëm, nga këndvështrimi i abuzimit me substancat, është fakti se pacientët arrijnë përqendrimin maksimal të alkoolit në gjak për gjysmën e kohës. Këto efekte janë të përhershme dhe, me shumë gjasë, zgjasin gjatë gjithë jetës”, thekson dr. Strømmen, transmeton Telegrafi.
Pse zvogëlimi i stomakut mund të çojë në alkoolizëm?
Operacionet bariatrike kryesisht e zvogëlojnë vëllimin e stomakut, duke u mundësuar pacientëve të hanë shumë më pak dhe të ngopen më shpejt. Megjithatë, ky ndryshim rrënjësor në anatominë e traktit tretës ndikon thellë në proceset metabolike që ndodhin pas konsumimit të alkoolit.
“Në një stomak normal, një pjesë e konsiderueshme e alkoolit shpërbëhet dhe, për këtë arsye, nuk kalon fare në qarkullimin e gjakut. Kjo ndodh falë një enzime të veçantë që sekretohet nga mukoza e stomakut. Pikërisht nga ky mekanizëm mbrojtës e privojmë pacientin kur e operojmë stomakun. Përveç kësaj, gjithçka që pihet kalon shumë më shpejt drejtpërdrejt në zorrë”, shpjegon dr. Strømmen.
Bajpasi gastrik më i rrezikshëm se gastrektomia “sleeve”
Për t’i konfirmuar këto rezultate në një grup më të madh, studiuesit kryen një analizë të mëvonshme të të dhënave të rreth 17.800 pacientëve norvegjezë, të cilët iu nënshtruan operacionit të stomakut ndërmjet viteve 2008 dhe 2018.
Të dhënat treguan se pacientët që kishin kryer bajpas gastrik kishin 69 për qind rrezik më të lartë për të zhvilluar probleme me alkoolin, krahasuar me ata që kishin bërë gastrektomi “sleeve”.
“Efektet ishin dukshëm më të theksuara te personat që kishin kryer bajpas gastrik, por kjo nuk do të thotë se gastrektomia ‘sleeve’ është e padëmshme sa i përket abuzimit të mëvonshëm me alkoolin”, sqaron dr. Strømmen.
Pacientët duhet të mësojnë t’i thonë “jo” alkoolit
Për shkak të këtyre të dhënave, dr. Strømmen u këshillon pacientëve që pas zvogëlimit të stomakut të jenë plotësisht të përgatitur për t’i thënë me vendosmëri “jo” një pijeje alkoolike.
“Papritur do të gjenden në një mjedis shoqëror ku miqtë dhe njerëzit përreth presin që ata të pinë po aq sa pinin para operacionit. Por fiziologjia e tyre ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Kjo do të thotë se tani e tutje duhet të jenë shumë më të kujdesshëm se më parë”, thotë studiuesi norvegjez.
Nevojitet përgatitje më e mirë edhe nga mjekët
Ekipi hulumtues bën thirrje që të gjithë pacientët që po shqyrtojnë mundësinë e kirurgjisë bariatrike të informohen hollësisht për këto ndryshime të përhershme në metabolizëm, para se të marrin vendimin përfundimtar, transmeton HealthDay.
“Është e rëndësishme që pacientët ta marrin vendimin për operacionin duke qenë vërtet të informuar. Nuk mjafton vetëm t’u thuhet se reagimi i tyre ndaj alkoolit do të ndryshojë. Ata duhet të edukohen për mekanizmat e saktë që qëndrojnë pas këtij rreziku të shtuar dhe, veçanërisht, për mënyrën se si ta njohin dhe ta menaxhojnë dehjen e papritur pas operacionit. Në rastin më të mirë, këto informacione mund t’i parandalojnë pacientët që të zhvillojnë fare varësi”, thekson dr. Strømmen.
Studimi gjithashtu i dërgon një sinjal të qartë komunitetit mjekësor se, para ndërhyrjes, pacientët duhet të pyeten më hollësisht për zakonet e tyre dhe për faktorët e mundshëm të rrezikut për abuzimin me substanca.
“Mendoj se shumica e klinikave që merren me trajtimin e obezitetit mund ta shqyrtojnë shumë më mirë historinë e konsumimit të alkoolit të pacientëve, përkatësisht të zhvillojnë një bisedë më të hollësishme për zakonet dhe faktorët e tyre të rrezikut. Duhet të përmirësohemi në parashtrimin e pyetjeve të duhura dhe në bërjen e vlerësimeve më të sakta. Por kjo kërkon njëkohësisht edhe transparencë nga vetë pacientët. Besoj se edukimi më i mirë mund t’i ndihmojë njerëzit ta kuptojnë pse është e rëndësishme të jenë të sinqertë për këto çështje”, përfundon dr. Magnus Strømmen. /Telegrafi/





