Dy persona janë privuar nga liria në dy raste të ndara në fshatin Bërnjarcë, në rrethinën e Shkupit, gjatë kontrolleve të realizuara nga Njësiti për Tregti të Palejuar pranë SPB Shkup.
Sipas njoftimit të policisë, më 16 shtator 2026, rreth orës 00:20, është arrestuar D.C. (34) nga Bërnjarca. Gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, e kryer me urdhër të Gjykatës Themelore Shkup, policia ka gjetur dhe sekuestruar marihuanë, fara të bimës së kanabisit dhe një peshore digjitale me mbetje marihuane.

Një natë më herët, më 15 shtator, rreth orës 23:45, policia ka privuar nga liria edhe I.B. (38) nga Shkupi.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, të realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup, janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, 23 fishekë, 20 fishekë gjahu, një qese me barut, tre kuti me saçma, tre kuti me material për mbushjen e fishekëve të gjahut, një kuti me kapsolla, si dhe mjete për përpunimin dhe mbushjen e fishekëve.
Nga policia bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të dy personave do të parashtrohen kallëzime përkatëse.





