Policia e Kukësit ka finalizuar operacionin e koduar “Zabeli”, të zhvilluar në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë operacionit, në njësinë administrative Kalis, në territorin e fshatit Gështenjë, në vendin e quajtur “Zabeli i Madh”, u zbuluan dhe u asgjësuan me djegie 215 bimë të dyshuara narkotike Cannabis sativa.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar ‘Zabeli’. Si rezultat i operacionit, në njësinë administrative Kalis, në territorin e fshatit Gështenjë, në vendin e quajtur ‘Zabeli i Madh’, u konstatuan të kultivuara 215 bimë të dyshuara narkotike Cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me djegie. Nga hetimet paraprake dyshohet se bimët janë kultivuar nga shtetasit F. R., 63 vjeç, dhe M. R., 29 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Gështenjë, të cilët u shpallën në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll edhe në banesën e shtetasit F. R., 63 vjeç.
“Gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 3 kilogramë lëndë narkotike kanabis. Në vijim, u procedua në gjendje të lirë bashkëshortja e 63-vjeçarit, shtetasja V. R., 52 vjeçe, për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Gjithashtu, u procedua penalisht edhe shtetasi S. R., me detyrë kryetar i fshatit Gështenjë, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/






