“Ndërhyrja e Leo Messit ishte më e rëndë se Balogun”, ish-gjyqtari i FIFA-s krahason dy rastet e komentuara të Kupës së Botës

Sport

Vendimi për kartonin e kuq të Folarin Balogun në fitoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës vazhdon të shkaktojë debat të madh në Botërorin 2026. Sulmuesi amerikan realizoi golin e parë në triumfin 2-0 në fazën e 1/16 së finales, por më pas u përjashtua me karton të kuq pas një […]

Madhësia e shkronjave

Vendimi për kartonin e kuq të Folarin Balogun në fitoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës vazhdon të shkaktojë debat të madh në Botërorin 2026.

Sulmuesi amerikan realizoi golin e parë në triumfin 2-0 në fazën e 1/16 së finales, por më pas u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj mbrojtësit Tarik Muharemovic.

Gjyqtari brazilian Raphael Claus nuk e pa fillimisht incidentin, por pas ndërhyrjes së VAR-it dhe rishikimit të pamjeve, vendosi ta ndëshkonte Balogunin me karton të kuq.

Vendimi shkaktoi reagime të shumta, ndërsa përzgjedhësi i SHBA-së, Mauricio Pochettino, insistoi se ndërhyrja nuk meritonte përjashtim.

Debatit iu bashkua edhe ish-gjyqtari i FIFA-s, Mark Halsey, i cili krahasoi rastin me ndërhyrjen e Lionel Messit ndaj Aissa Mandit në ndeshjen mes Argjentinës dhe Algjerisë, ku ylli argjentinas nuk u ndëshkua as me karton të verdhë.

Sipas Halseyt, ndërhyrja e Messit ishte më e rëndë sesa ajo e Balogunit dhe duhej të ishte rishikuar nga VAR-i.

“Nëse kthehemi te ndeshja Argjentinë-Algjeri, ishte ndërhyrja e Messit. Në atë rast, Messi nuk kishte asnjë mundësi për të luajtur topin dhe ishte një ndërhyrje e dobët. Ai i kalon takat në pjesën e pasme të pulpës së lojtarit algjerian”.

“Për mua, ajo ndërhyrje ishte shumë më e rëndë se ajo që pamë nga Balogun. VAR-i duhej të rekomandonte një rishikim, sepse ishte një gabim i qartë dhe i dukshëm i gjyqtarit të ndeshjes”, deklaroi Halsey.

Ndërkohë, Balogun do ta humbasë ndeshjen e fazës së 1/8 së finales ndaj Belgjikës për shkak të pezullimit, ndërsa ekziston mundësia që FIFA t’ia zgjatë dënimin nëse komisioni disiplinor vlerëson se ndërhyrja meriton më shumë se një ndeshje pezullim./Telegrafi/