“Ata kanë nevojë që zgjidhja të mos vijë kurrë, Rama: Protestat po ushqehen nga aktorë që kërkojnë kaos

Nacionale

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat që prej rreth një muaji po zhvillohen në Tiranë, duke deklaruar se pas tyre qëndrojnë individë, organizata dhe aktorë jashtë vendit, të cilët sipas tij synojnë të nxisin kaos dhe zemërim në shoqëri. Në podkastin e tij “Flasim”, Rama tha se e kupton shqetësimin e qytetarëve, por theksoi se […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat që prej rreth një muaji po zhvillohen në Tiranë, duke deklaruar se pas tyre qëndrojnë individë, organizata dhe aktorë jashtë vendit, të cilët sipas tij synojnë të nxisin kaos dhe zemërim në shoqëri.

Në podkastin e tij “Flasim”, Rama tha se e kupton shqetësimin e qytetarëve, por theksoi se problemet e tyre nuk duhet të shfrytëzohen nga grupe që, sipas tij, nuk janë të interesuara për zgjidhje.

“E kuptoj që, kur gjëja vjen te vetja, ka arritur fundi i durimit, por nga ana tjetër nuk duhet lejuar që një hall i drejtë të bëhet lëndë djegëse për ata që vazhdojnë ta ushqejnë këtë rrëmujë, më shumë shpirtërore sesa fizike, duke bërë dëm pas dëmi”, u shpreh kreu i qeverisë.

Sipas Ramës, pas protestave qëndrojnë njerëz dhe organizata që përfitojnë nga situatat e tensionuara dhe nuk kanë interes që problemet të marrin zgjidhje.

“Janë njerëz që ushqehen me problemet e të tjerëve. Janë njerëz, organizata dhe aktorë të tjerë jashtë vendit që ushqehen me problemet e të tjerëve. Ata nuk kërkojnë zgjidhje. Ata kanë nevojë që zgjidhja të mos vijë kurrë, sepse ata duan ta mbajnë gjallë zemërimin”, deklaroi Rama.

Duke iu referuar situatës në kryeqytet, Rama shtoi se Bashkia e Tiranës nuk po funksionon normalisht, duke e lidhur këtë me faktin se kryetari i saj ndodhet në burg.

“Bashkia nuk funksionon ashtu siç duhet. Kryetari është marrë në burg”, përfundoi kryeministri. /euronews/