Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se janë pezulluar nga detyra zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Sot, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka pezulluar nga detyra zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Rasti lidhet me periudhën 2017–2019 dhe me kontratën për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale. Sipas aktakuzës, aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa pagesat e realizuara kanë arritur në mbi 5 milionë euro”, ka shkruar Basha në Facebook”,

Sipas tij, këto janë para të qytetarëve dhe përgjegjësi publike, andaj presim që drejtësia ta thotë sa më shpejt verdiktin përfundimtar dhe të mbajë përgjegjës secilin që ka abuzuar me mjetet e taksapaguesve.
“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe buxheti i nuk mund të trajtohet ndryshe përpos sipas procedurave dhe rregullave të parapara. Për çfardo informacioni, organet e drejtësisë do ta kenë bashkëpunimin tonë të plotë. Ne do të punojmë fort që ta forcojmë kontrollin, mbikëqyrjen dhe llogaridhënien në çdo nivel të Ministrisë dhe çdo dyshim serioz për keqpërdorim do të trajtohet me përgjegjësinë më të lartë institucionale”, tha Basha.





