Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e 24-të, qytetarët protestojnë para Kryeministrisë

Nacionale

Në Tiranë u zhvillua pasditen e sotme protesta e 24-t kundër projektit të planifikuar në Zvërnec. Qytetarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë. Pankartat dhe parullat janë ato të tubimeve të mëparshme ku kërkohet largimi i Kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës Sali Berisha, ndryshimin e sistemit, […]

Madhësia e shkronjave

Në Tiranë u zhvillua pasditen e sotme protesta e 24-t kundër projektit të planifikuar në Zvërnec.

Qytetarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë.

Pankartat dhe parullat janë ato të tubimeve të mëparshme ku kërkohet largimi i Kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës Sali Berisha, ndryshimin e sistemit, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin e zonave të mbrojtura.

Protestuesit vijuan thirrjet për “Shqipëri të re”, ndërkohë që pas himnit kombëtar, fjalën e morën përfaqësues të grupit organizator, të cilët deklaruan edhe njëherë kërkesat e artikuluara në protestën e djeshme nga Dritan Goxhaj.

Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Aktivisti Edison Lika lexoi edhe një herë deklaratën me pikat dhe kërkesat e protestës. Sipas tij, deklarata që u lexua dje nga Dritan Goxhaj, frikësoi kryeministrin Rama që u mor personalisht me të dhe me të tjerë, prandaj do bëhet e udhës që ajo të lexohet në çdo protestë.

Lika renditi si pikë të parë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor, ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

“Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike”, tha ai.

Një prej protestuesve njoftoi se më 4 korrik Diaspora do jetë sërish në Tiranë për të protestuar, raporton ATSH.

Protestuesit u shpërndanë pas disa orësh duke marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në disa rrugë kryesore.