Topi i Kupës së Botës 2026 shkon në hapësirë, ndërsa NASA studion futbollin në zero gravitet

Sport

Topat e futbollit duhet të lëvizin në mënyrë sa më të parashikueshme, prandaj inxhinierët sportivë analizojnë me kujdes qendrën e masës dhe balancën e tyre për të garantuar performancë optimale në fushë. Këtë vit, ekuipazhi i Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) rikrijoi një eksperiment të realizuar fillimisht në vitin 2019, duke përdorur topin zyrtar të Kupës […]

Madhësia e shkronjave

Topat e futbollit duhet të lëvizin në mënyrë sa më të parashikueshme, prandaj inxhinierët sportivë analizojnë me kujdes qendrën e masës dhe balancën e tyre për të garantuar performancë optimale në fushë.

Këtë vit, ekuipazhi i Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) rikrijoi një eksperiment të realizuar fillimisht në vitin 2019, duke përdorur topin zyrtar të Kupës së Botës 2026, adidas Trionda.

Qëllimi i testit ishte të demonstrohej ndikimi që balanca e mirë ose e dobët mund të ketë në lëvizjen dhe sjelljen e topit gjatë lojës.

Sipas NASA-s, rezultatet e këtyre eksperimenteve kanë ndihmuar në kuptimin më të mirë të ndikimit që teknologjitë e integruara në topat modern, si sensorët e përdorur në ndeshjet zyrtare mund të kenë në performancën e tyre gjatë lojës.

Agjencia amerikane thekson se përmirësimi i pajisjeve sportive është vetëm një nga mënyrat se si kërkimet shkencore të realizuara në ISS kontribuojnë në zhvillime që sjellin përfitime edhe për jetën në tokë.

Në pamjet e publikuara nga stacioni hapësinor, topi shumëngjyrësh i Kupës së Botës 2026 shihet duke lundruar në modulin panoramik “Cupola”, me tokën që duket në sfond përmes dritareve të mëdha.

Videoja tregon gjithashtu astronautët duke lëvizur në kushte mikrograviteti dhe duke goditur lehtësisht topin, duke i dhënë futbollit një dimension krejtësisht të ri, atë të hapësirës. /Telegrafi/