Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Eugen Cakolli, ka deklaruar se me përfundimin e numërimit të votave me postë pritet të ndryshojë shpërndarja përfundimtare e mandateve në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, kur kanë mbetur edhe disa dhjetëra kuti të votave me postë, trendet aktuale tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje do të arrijë në 53 mandate, që sipas vlerësimeve mund të jetë edhe numri përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt.

Cakolli thekson se ende mbetet e hapur gara për mandatin e fundit, i cili mund të ndikojë në përbërjen përfundimtare të Kuvendit.
Ai ka thënë se sipas dinamikës aktuale, ekziston mundësia që fillimisht Lidhja Demokratike e Kosovës të humbë mandatin e 19-të, por në bazë të trendit të votave, më shumë gjasa ka që në fund Partia Demokratike e Kosovës të humbë mandatin e 22-të.
“Kjo nënkupton se gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tepër e ngushtë. Dallimi në koeficientë mes tyre mund të përkthehet në më pak se 100 vota në fund të procesit”, ka deklaruar Cakolli.
Sipas tij, vendimtare mund të jenë edhe votat me kusht, të cilat zakonisht ndjekin trendin e votimit brenda vendit dhe potencialisht mund ta favorizojnë PDK-në.
Ai ka shtuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të mbetet me 7 ulëse në Kuvend.
Cakolli gjithashtu ka bërë të ditur se numërimi i votave me postë pritet të përfundojë më së largu gjatë ditës së nesërme në paradite, ndërsa votat me kusht deri në mesnatë, pas së cilës do të vijojë procesi i mundshëm i rinumërimit të një pjese të vendvotimeve, në varësi të vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.





