Këngëtarja e njohur kosovare Monika Salihu ka vendosur t’i japë një drejtim të ri karrierës së saj, duke u angazhuar në botën e sipërmarrjes krahas muzikës.
Në një intervistë për Telegrafin, ajo ka folur për përvojën e saj me rrjetin ndërkombëtar Chogan, një kompani italiane që ofron produkte të ndryshme dhe mundësi për zhvillim të biznesit përmes marketingut të rrjetit.
Salihu ka treguar se fillimisht ishte njohur me produktet e kompanisë, të cilat i kishte përdorur vetë për disa muaj para se të vendoste të angazhohej më seriozisht në këtë aktivitet.

“Dy ose tre muaj i kam përdorur vetë produktet me familjen time. Nuk mund të flas për diçka që nuk e kam provuar. Fillimisht i kam testuar vetë dhe më pas kam nisur të flas për to”, tha ajo.
Sipas saj, Chogan është një kompani e njohur në tregun evropian, me bazë në Itali, e cila ka ndërtuar një rrjet të madh bashkëpunëtorësh në vende të ndryshme.
“Është një kompani shumë e njohur. Vetë shifrat flasin. Njerëzit vazhdojnë t’i blejnë produktet dhe kjo tregon besimin që kanë krijuar”, u shpreh Salihu.
Ajo theksoi se një nga arsyet pse ka zgjedhur këtë model biznesi është mundësia për të punuar pa kostot e zakonshme që kërkon një biznes tradicional.
“Nuk ke nevojë të hapësh lokal, të paguash qira, punëtorë apo shpenzime të tjera të mëdha. Mjafton një investim fillestar relativisht i vogël dhe mund të fillosh të ndërtosh biznesin tënd”, tha këngëtarja.
Monika shtoi se ky angazhim nuk e ka larguar nga muzika, përkundrazi i ka krijuar më shumë hapësirë dhe motivim për të vazhduar me projekte të reja artistike.
“Kjo punë ma ka lehtësuar muzikën. Nuk e kam lënë muzikën, por tani ndihem më e qetë dhe më e lirë për të krijuar. Madje po më motivon të sjell këngë më shpesh”, deklaroi ajo.
Ndonëse publiku e njeh kryesisht si këngëtare, Salihu thotë se tashmë po e shijon edhe rolin e sipërmarrëses, duke synuar të zgjerojë rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe të ndihmojë të tjerët të krijojnë mundësi të reja për veten. /Telegrafi/





