Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, me rastin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi, te Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, te shtatorja e Heroit Zahir Pajaziti, si dhe te Monumenti Përkujtimor i Ushtarëve të NATO-s.
Haxhiu ka thënë se më 12 qershor, në Ditën e Çlirimit, Prekazi mbetet vendi prej nga nis kujtesa e lirisë së Kosovës.
“Nuk ka 12 qershor pa marsin e vitit 1998. Nuk ka 12 qershor pa qëndresën e Komandantit Adem Jashari, Hamzës, Shabanit dhe të mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari, të cilët ranë dhe nuk u dorëzuan asnjëherë. Ata nuk mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, ata mbrojtën tokën, tokën e të parëve tanë që ishte, është dhe do të jetë përherë e shqiptarëve”, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes, Haxhiu.
Ajo tha se sakrifica e tyre u bë themeli mbi të cilin qëndroi Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Republika jonë e lirë.
“Prandaj, çdo gëzim i kësaj feste fillon pikërisht këtu, pranë këtyre varreve. Liria që ne e gëzojmë sot është amaneti i tyre, që Kosovën tonë, edhe si institucione, edhe si shoqëri, ta duam, por edhe ta nderojmë përherë me veprimet që e fuqizojnë çdo ditë”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej u shpreh se liria e Kosovës është fryt i qëndresës së armatosur, rezistencës politike dhe sakrificës së shumë brezave.
“Këta emra janë dëshmia se liria erdhi nga qëndresa dhe sakrifica e Komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, nga urtësia dhe këmbëngulësia politike e Presidentit Ibrahim Rugova, nga rezistenca e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, të cilit 28 vite burgim nuk ia zbehën dhe as nuk ia thyen besimin te liria, nga guximi e trimëria e Komandantit Zahir Pajaziti, por edhe nga gjaku i gjithë dëshmorëve të kombit”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej tha se trashëgiminë që na lanë heronjtë dhe dëshmorët tanë duhet ta kemi si udhërrëfyes, që shtetin tonë ta bëjmë edhe më të drejtë, edhe më të fortë, edhe më të denjë.
“Lavdi dëshmorëve të kombit dhe falënderim për të gjithë ata që kontribuuan që Kosova jonë, Republika e Kosovës, të jetë e çliruar, e lirë dhe e pavarur”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. /Telegrafi/






