Juventusi po punon intensivisht për rindërtimin e repartit ofensiv para sezonit të ri, ndërsa largimi i pritshëm i Dusan Vlahovicit ka shtyrë drejtuesit e klubit të hidhen në sulm për dy emra të njohur të futbollit evropian.
Sipas raportimeve të Tuttomercatoweb, bardhezinjtë kanë vendosur në krye të listës sulmuesin e Atletico Madridit, Alexander Sorloth, dhe atë të Paris Saint-Germainit, Randal Kolo Muani.
Për Sorloth, Juventusi thuhet se ka bërë hapa konkretë në negociata, me norvegjezin që ka dhënë pëlqimin paraprak për një kontratë katërvjeçare me pagë rreth katër milionë euro në sezon.
Megjithatë, klubi italian duhet ende të arrijë marrëveshje me Atletico Madridin, i cili raportohet se kërkon mbi 30 milionë euro për kartonin e 29-vjeçarit.
Nga ana tjetër, Juventusi nuk ka hequr dorë as nga Randal Kolo Muani. Sulmuesi francez kishte lënë përshtypje shumë të mira gjatë periudhës së tij në Torino, ku realizoi 10 gola në 22 ndeshje.
Pas huazimit te Tottenhami gjatë sezonit 2025/26, Kolo Muani është sërish në dispozicion për transferim, ndërsa PSG-ja thuhet se është e gatshme ta shesë për rreth 40 milionë euro, duke mos përjashtuar edhe formula më fleksibile pagese.
Sipas mediave italiane, nevoja e Juventusit për të afruar dy sulmues të rinj është rritur pas dështimit të bisedimeve për rinovimin e kontratës së Dusan Vlahoviqit.
Sulmuesi serb pritet të largohet nga “Zonja e Vjetër” në fund të muajit qershor, duke i dhënë fund aventurës së tij në Torino, pasi palët nuk kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit. /Telegrafi/






