Shifra alarmante, mbi 23% e nxënësve 13-15 vjeç përdorin produkte duhani në Kosovë

Nacionale

Rritja e përdorimit të duhanit, cigareve elektronike dhe produkteve të nikotinës tek të rinjtë në Kosovë po konsiderohet gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa me rastin e Ditës Botërore Pa Duhan, organizatat që veprojnë në këtë fushë po bëjnë thirrje për veprime urgjente. Aleanca për të Ardhmen Pa Duhan e Nikotinë ka publikuar një komunikatë ku […]

Madhësia e shkronjave

Rritja e përdorimit të duhanit, cigareve elektronike dhe produkteve të nikotinës tek të rinjtë në Kosovë po konsiderohet gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa me rastin e Ditës Botërore Pa Duhan, organizatat që veprojnë në këtë fushë po bëjnë thirrje për veprime urgjente.

Aleanca për të Ardhmen Pa Duhan e Nikotinë ka publikuar një komunikatë ku ngre alarmin për trendin në rritje të përdorimit të këtyre produkteve tek fëmijët dhe adoleshentët.

“Sipas të dhënave të GYTS 2025, 23.5% e nxënësve të moshës 13-15 vjeç përdorin aktualisht produkte duhani, ndërsa 11.2% pinë aktualisht cigare. Trendi tregon rritje alarmuese krahasuar me vitet paraprake, me ndikim të veçantë nga cigaret elektronike dhe produktet e reja të nikotinës”, thuhet në komunikatë.

Aleanca kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe shoqëria për të frenuar këtë dukuri.

“Aleanca kërkon reagim të menjëhershëm institucional dhe shoqëror për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve, përfshirë ndalimin e shitjes së cigareve, vape-ve dhe produkteve të nikotinës pranë shkollave, zbatim më të rreptë të ligjit dhe edukim të vazhdueshëm në shkolla”, theksohet në reagim.

Këto shqetësime vijnë në Ditën Botërore Pa Duhan, e cila shënohet çdo vit më 31 maj nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët e saj në mbarë botën.

Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit për rreziqet që sjell përdorimi i duhanit dhe promovimi i politikave efektive për uljen e konsumit të tij. Sivjet, fushata globale zhvillohet nën moton “Zotohu dhe lëre”, duke u fokusuar në mbështetjen e personave që dëshirojnë ta lënë duhanin.

OBSH rikujton se duhani mbetet një nga faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet jo-ngjitëse, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, kancerin, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diabetin. Sipas organizatës, përfitimet e lënies së duhanit fillojnë pothuajse menjëherë, pasi përmirësohen rrahjet e zemrës, niveli i oksigjenit në gjak dhe funksioni i mushkërive.

Po ashtu, OBSH thekson se duhanpirësit kanë shumë më tepër gjasa të heqin dorë me sukses nga duhani kur marrin mbështetje profesionale dhe këshillim nga punonjësit shëndetësorë.

Në nivel global, rreth 39 për qind e burrave dhe 9 për qind e grave janë duhanpirës, ndërsa Evropa vazhdon të regjistrojë normat më të larta të konsumit të duhanit. Në këtë kontekst, organizatat shëndetësore vlerësojnë se mbrojtja e të rinjve nga produktet e duhanit dhe nikotinës duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe shoqërisë në tërësi. /Telegrafi/