Iniciativa më e re e partisë politike zvicerane SVP synon t’ua heqë të drejtat popullatës migrante dhe të rikthejë Statutin e Sezonierëve. Një “JO” në referendumin e 14 qershorit është një angazhim që të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në këtë vend, të trajtohen me dinjitet. Ky tekst u drejtohet juve – mërgatës shqiptare në Zvicër. Sepse ky votim na prek drejtpërdrejt.
Kur kohët e fundit e shoqërova një gazetare nëpër qytetin tim, Wil, e kuptova sa krenar mund të jem për gjeneratën e prindërve tanë. Unë i përkas gjeneratës së dytë me origjinë jashtë Zvicrës, pjesëtarët e së cilës quhen edhe “sekondo”. Menjëherë pranë stacionit të trenit në Wil kaluam pranë një ndërtese zyrash, të cilën axha im e kishte ndërtuar si punëtor sezonal.
Edhe babai im punoi në kantiere të ndryshme, para se të gjente punë në një fabrikë. Si pjesëtarë të gjeneratës së parë të migrantëve, ata kontribuan në mirëqenien e këtij vendi duke kryer punët më të rënda. Por u deshën 14 vjet derisa babai im arriti ta sillte familjen në Zvicër – unë isha tetë vjeç kur erdha në këtë vend. Që kur jam vetë prind, e kuptoj edhe më mirë sa të vështira ishin ato vite për të gjitha familjet e prekura.
Shumë prej jush e njohin këtë histori. Baballarët dhe gjyshërit tuaj erdhën nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, nga Shqipëria. Erdhën për të punuar në ndërtimtari, në fabrika, në pastrim. Punuan fort – çdo ditë. Por nuk u lejohej të sillnin familjet e tyre. Muaj të tërë kalonin vetëm. Pa të drejta. Pa siguri. Kur shefi thoshte «ik», ti ikje.

Ky ishte Statuti i Sezonierëve – një kapitull i errët i historisë zvicerane. Ai e kufizonte qëndrimin e «punëtorëve mysafirë» (Gastarbeiter) në nëntë muaj në vit. Sezonierët ndërtuan, riparuan, mbollën dhe gatuajtën për Zvicërn. Morën paga të ulëta, paguajtën taksa, por pothuajse nuk kishin të drejta. Pas këtij sistemi qëndrojnë dhjetëra mijëra familje të copëtuara. Fëmijë që duhej të fshiheshin ditën nëpër dollapa e bodrume – të ashtuquajturit «fëmijët e dollapit», «Schrankenkinder» në gjermanisht. Fëmijë që nuk guxonin të shkonin në shkollë, te mjeku, as të luanin jashtë. Nëna që kishin vetëm zgjedhjen traumatizuese: t’i linin fëmijët pas ose t’i fshihnin pranë vetes. Punëtorë që në kufirin e Chiassos duhej të zhvisheshin edhe në të ftohtë të acartë dhe të renditeshin në radhë për t’u bërë radiografi.
Bashkimi familjar ishte i ndaluar për kohë të gjatë dhe më vonë i lejuar vetëm me kushte të rrepta. Ndërrimi i vendit të punës ose i vendbanimit nuk ishte i parashikuar. Nëse një grua mbetej shtatzënë, duhej të largohej. Vetëm në vitin 2002, me futjen e lëvizjes së lirë të personave, iu dha fund këtij statuti të padenjë. Falë saj, babai im mundi ta sillte familjen. Unë munda të shkoja në shkollë këtu, të studioja – dhe sot jam deputet në Parlamentin e Zvicrës. Kjo ishte e mundur vetëm sepse Zvicra e hoqi Statutin e Sezonierëve.
Më 14 qershor, pikërisht kjo e arritur do të hidhet në referendum.
Çfarë do vërtet kjo iniciativë – dhe pse na prek neve
Iniciativa e partisë politike SVP me titullin «Jo Zvicrës 10 milionëshe! (Iniciativa për qëndrueshmëri)» reklamohet me fotografi kiçi të peizazheve dhe familjeve që ecin nëpër livadhe alpine. Ky është mashtrim. Kjo iniciativë nuk do ta ndalonte rritjen e popullatës. Ekonomia zvicerane varet nga imigrimi – zhvillimi demografik dhe dalja në pension e gjeneratës me më shumë fëmijë e bëjnë këtë të pashmangshme.
Iniciativa ndjek një qëllim tjetër. Ia vlen ta lexosh tekstin me kujdes. Vendimtare është: Në popullatën e përhershme rezidente, e cila duhet të kufizohet, numërohen vetëm ata që jetojnë më shumë se dymbëdhjetë muaj në Zvicër. Thënë troç: migrantët duhet të vazhdojnë të vijnë për të punuar – por jo për një vit të plotë dhe jo me familjen e tyre. SVP nuk do më pak të huaj. Ajo do punëtorë pa të drejta. Njerëz që kujdesen për pleqtë tanë, ndërtojnë shtëpitë tona, pastrojnë zyrat tona – por vijnë pa familje, pa të drejtë qëndrimi të përhershëm dhe pa mbrojtje.
Ky është Statuti i Sezonierëve me veshje të re. Emër tjetër, efekt i njëjtë.
Çfarë ndodh konkretisht? Zvicra ka sot 9,2 milionë banorë. Për pak vite do të jenë 9,5 milionë. Atëherë hyn në fuqi masa e parë:
Bashkimi familjar kufizohet. Kush do ta sjellë bashkëshortin, fëmijët, prindërit – nuk mund ta bëjë këtë. Kjo bëhet më e vështirë ose e pamundur. Refugjatët me qëndrim të përkohshëm nuk marrin më të drejtë qëndrimi.
Kur numri i popullsisë arrin në 10 milionë vjen masa e dytë: marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare duhet të anulohen – sipas Qeverisë së Zvicrës edhe Konventa e të Drejtave të Njeriut, Konventa e Refugjatëve dhe Konventa e të Drejtave të Fëmijëve. Në fund, anulimi i lëvizjes së lirë të personave. Kthehen kontingjentet. Mbrojtja e pagave bie.
SVP ka mësuar nga gabimet e veta. Ndryshe nga iniciativa kundër imigrimit masiv të vitit 2014, teksti i iniciativës këtë herë është i qartë. Ai synon qartësisht një ndarje të shoqërisë në dy pjesë: lart sunduesit e vendosur. Poshtë migrantët pa të drejta.
Çfarë do të thotë kjo për mërgatën shqiptare
Tani po ju flas drejtpërdrejt juve – mërgatës shqiptare në Zvicër. Sepse kjo iniciativë na prek veçanërisht neve.
Bashkimi familjar: Shumë prej nesh kanë ende familje në vendlindje. Prindër, vëllezër e motra, bashkëshortë. Kush do t’i sjellë këtu, edhe sot e ka të vështirë. Pas kësaj iniciative do të jetë edhe më e vështirë – ose e pamundur. Paramendoni: babai juaj është vetëm në Kosovë. Nëna juaj është e sëmurë. Ju doni ta sillni këtu. Përgjigja: Jo. Kufiri është i mbyllur.
Statusi i qëndrimit: Nuk bëhet fjalë vetëm për ardhësit e rinj. Bëhet fjalë për të gjithë ata që tashmë jetojnë këtu. Kush ka lejen e qëndrimit B: vazhdimi i saj bëhet i pasigurt. Kush ka lejen C: edhe ajo nuk është më e sigurt nëse bien marrëveshjet bilaterale me BE-në. Kush do pasaportën zvicerane: natyralizimi bëhet më i vështirë, kohët e pritjes më të gjata, arbitrariteti më i madh.
Pagat: Pa marrëveshjet bilaterale bie mbrojtja e pagave. Sot kontrollohen mbi 37’000 firma nëse paguajnë paga të drejta. Pa këto kontrolle, shefi thotë: «Pse duhet të të paguaj 28 franga në orë? Tjetri e bën për 15.» Studimet tregojnë: pagat bien me 1,7 deri në 4,7 për qind. Me një pagë prej 5000 frangash, kjo do të thotë 235 franga më pak – çdo muaj. Pothuajse 3000 franga më pak në vit. Dhe kjo prek pikërisht degët ku punojnë shumë prej nesh: ndërtimtari, gastronomi, pastrim, kujdes shëndetësor, transport.
Pensioni dhe sigurimet shëndetësore: AHV-së i mungojnë deri në vitin 2060 rreth 8 miliardë franga, nëse më pak të rinj paguajnë. Kontributi për sigurimin shëndetësor rritet për 250 franga për person në vit – për një familje me katër persona janë 1000 franga më shumë. Dhe SVP-ja do njëkohësisht ta rrisë moshën e pensionit në 67 vjeç. Dy vjet më gjatë në kantier, në pastrim, në kujdes – për njerëz që me 65 vjeç shpesh janë fizikisht të shkatërruar.
Klima politike: Kur një iniciativë thotë se në Zvicër «ka tepër prej jush», kjo e ndryshon atmosferën në të gjithë vendin. Në vendin e punës, në shkollë, në komunë. Kush jeton këtu prej 20 vjetësh, paguan taksa dhe punon, paraqitet prapë si «problem». Këtë e njohim. Dhe me këtë iniciativë do të jetë edhe më keq.
Suksesi i Zvicrës, një vend pa lëndë të para, bazohet në një formulë të provuar: demokraci e qëndrueshme dhe e drejtë, kulturë e balancës sociale, imigrim dhe integrim i njerëzve të motivuar e të talentuar. Migrantët kanë ndërtuar firma si Nestlé dhe Swatch, të cilat ende sot krijojnë vende pune. Nuk guxon të ndodhë që vendi ynë, i cili ekonomikisht varet nga popullata migrante, njëkohësisht t’ia heqë asaj të drejtat.
Rikthimi i Statutit të Sezonierëve është qëllimi i vërtetë i kësaj iniciative. Një JO e fuqishme më 14 qershor është një gjest që thotë «kurrë më!» – kurrë më nuk duam të kthehemi te Statuti i padenjë i Sezonierëve. Kurrë më nuk duhet të fshihen fëmijë nëpër dollapa. Kurrë më nuk duhet të ndahen familje me vite të tëra.
Hannah Arendt e ka quajtur të drejtën për të drejta si të drejtën më themelore: të drejtën për të qenë fare pjesë e një bashkësie politike që të mbron. Një demokraci që ia mohon këtë të drejtë më shumë se një të katërtës së popullatës së vet, është një demokraci e mangët.
Çfarë mundeni të bëni ju? Kush ka pasaportën zvicerane: votoni JO më 14 qershor. Me postë ose në kutinë e votimit. Kush nuk ka të drejtë vote: flisni me fqinjët tuaj, me kolegët e punës, me miqtë zviceranë. Thuani atyre: «Të lutem voto JO – për mua. Sepse unë nuk mundem, por ti mundesh.» Shpërndajeni këtë artikull. Diskutoni në familje, në shoqatë, në punë. Çdo votë është e rëndësishme.
Një JO më 14 qershor është një angazhim që të gjithë njerëzit që jetojnë dhe punojnë në këtë vend, të trajtohen me dinjitet. Debati mbi përkatësinë dhe të drejtën e shtetësisë do të vazhdojë edhe pas kësaj. Ne nuk kemi nevojë për një demokraci diskriminuese dhe përjashtuese, por për një demokraci të gjallë dhe të vërtetë.
Arbër Bullakaj (40) është deputet në Parlamentin e Zvicrës nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës. Baza e tij elektorale është në kantonin St. Gallen në Zvicrën lindore. Ai është sipërmarrës në fushën e teknologjisë informative nga qyteti i Wil-it (kantoni St. Gallen). Ai është i biri i një ish-punëtori sezonal dhe bashkëiniciator i Iniciativës për Demokraci, e cila synon lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë në Zvicër.





