Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Oda e Avokatëve të Kosovës lidhur me pretendimet për vonesa në trajtimin e rasteve të paraburgimit, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Në një “kundër-reagim dhe sqarim për opinionin publik”, Gjykata Supreme shprehu keqardhje për mënyrën e reagimit të Odës së Avokatëve, e cila kishte ngritur shqetësime për kinse vonesa sistematike në shqyrtimin e rasteve të paraburgimit nga kjo gjykatë.
Sipas Gjykatës Supreme, pas verifikimeve të kryera, pretendimet për vonesa nuk qëndrojnë dhe nuk janë të mbështetura në fakte.
Gjykata thekson se çështjet që lidhen me caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit trajtohen me urgjencë dhe prioritet të lartë, si dhe brenda afateve të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë personale dhe procesin e rregullt ligjor.
Po ashtu, Gjykata Supreme deklaron se mbetet e përkushtuar për respektimin e afateve ligjore dhe trajtimin efikas të mjeteve juridike në rastet e paraburgimit, duke theksuar ndjeshmërinë e këtyre çështjeve për të drejtat themelore të qytetarëve.
Në reagim, Gjykata fton Oda e Avokatëve të Kosovës që, nëse i referohet rasteve konkrete ku pretendohet tejkalim i afateve ligjore apo vonesa të pajustifikuara, t’i adresojë ato zyrtarisht tek kryetari i gjykatës.
Në fund, Gjykata Supreme thekson gatishmërinë për bashkëpunim dhe komunikim profesional me të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore.






