Diplomon gjenerata 2023–2026 e maturantëve të Kamenicës, ndahen edhe shpërblime e bursa

Rajon

Në një ceremoni të hapur dhe festive, mes familjarëve, miqve dhe qytetarëve, ka diplomuar gjenerata 2023–2026 e maturantëve të Kamenicës. Organizimi u mbajt në një ambient të gjelbëruar, ndërsa maturantët, mes emocioneve dhe krenarisë, përmbyllën një kapitull të rëndësishëm të shkollimit dhe nisën një etapë të re drejt studimeve dhe karrierës. Në ceremoni morën pjesë […]

Madhësia e shkronjave

Në një ceremoni të hapur dhe festive, mes familjarëve, miqve dhe qytetarëve, ka diplomuar gjenerata 2023–2026 e maturantëve të Kamenicës. Organizimi u mbajt në një ambient të gjelbëruar, ndërsa maturantët, mes emocioneve dhe krenarisë, përmbyllën një kapitull të rëndësishëm të shkollimit dhe nisën një etapë të re drejt studimeve dhe karrierës.

Në ceremoni morën pjesë kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, nënkryetarja Arta Bajralija, kryesuesja e Kuvendit Komunal Arbnore Beqiraj-Fera, drejtori i Arsimit Selami Klaiqi, rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan Artan Dërmaku, komandanti i Stacionit Policor në Kamenicë Basri Shkodra, si dhe drejtorë komunalë, drejtorë shkollash, profesorë, nxënës e prindër.

Kryetari Rahimaj, në fjalën e tij, tha se diplomimi shënon përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm dhe fillimin e një etape të re për të rinjtë.

“Diplomimi nuk është vetëm fundi i një rruge shkollore, por dëshmi e përkushtimit, punës dhe sakrificës që keni bërë ndër vite… Besoj fuqishëm se edhe nga gjenerata juaj do të dalin të rinj e të reja që do të jenë zëri i ndryshimit, shembull i suksesit dhe krenari për familjet dhe qytetin tonë”, ka thënë Rahimaj.

Ai i inkurajoi maturantët të besojnë në vetvete dhe të mos heqin dorë nga synimet, duke theksuar se komuna do të vazhdojë ta mbështesë rininë.

“Do të ketë sfida, pengesa dhe momente kur do të dyshoni në vetvete. Por mos harroni kurrë se çdo sukses i madh fillon me guximin për të mos u dorëzuar… Sepse investimi tek rinia është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e komunës sonë”, ka theksuar ai.

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Artan Dërmaku, u tha maturantëve se kjo ditë është një moment që do ta mbajnë mend gjatë gjithë jetës, duke i inkurajuar të mos i kufizojnë ambiciet.

“Mos lejoni askënd t’ju bindë se vini nga një qytet i vogël dhe se kjo ju pengon të arrini suksese të mëdha… Nga ju presim të jenë mjekët, programerët, ndërmarrësit dhe profesionistët e së ardhmes që do t’ia zbardhin fytyrën komunës dhe Kosovës”, ka deklaruar Dërmaku.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit, Selami Klaiqi, tha se maturantët janë krenaria e Kamenicës.

“Ju njoh nga afër dhe e di se do të jeni krenaria jo vetëm e qytetit tonë, por edhe e gjithë shqiptarëve… sepse vetëm me punë dhe angazhim arrihen sukseset në jetë”, ka thënë Klaiqi.

Në emër të maturantëve, foli Olsa Ademi, e cila falënderoi profesorët dhe prindërit për mbështetjen gjatë rrugëtimit shkollor.

“Sot po largohemi me kujtime të paharrueshme dhe me bindjen se mund të arrijmë shumë… Sot është fundi i një epoke, por jo fundi i kujtimeve”, ka thënë Ademi.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe shpërblime për maturantët, përfshirë sete librash nga DKA, trajnime profesionale nga “Cactus Education” në Parkun Teknologjik në Kamenicë, bursa komunale në vlerë prej 400 dhe 600 eurosh, si dhe trajnime në gjuhë programuese dhe 3D printing nga BONEVET Kamenica.

Ceremonia u përmbyll me hedhjen simbolike të kapelave në ajër, mes urimeve për sukseset e ardhshme të maturantëve. /Telegrafi/