Pak orë para nisjes së seancës në të cilën pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshet e Prishtinës.
Seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të nisë në orën 10:00, kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të mësojnë vendimin pas më shumë se pesë vitesh në paraburgim.

Në Hagë ndodhet edhe ekipi i Telegrafit, i cili do të jetë brenda sallës ku do të kumtohet aktgjykimi, duke përcjellë në kohë reale zhvillimet dhe informacionet nga seanca.
Ndërkohë, mijëra bashkatdhetarë dhe qytetarë nga Kosova kanë udhëtuar drejt Hagës, ku janë mbledhur pranë objektit të Dhomave të Specializuara, në pritje të vendimit.
Edhe në Prishtinë, qytetarët kanë nisur të mblidhen në sheshet e kryeqytetit. Tubimi ka nisur që nga mbrëmja e së martës dhe qytetarët kanë qëndruar aty gjatë natës, deri në orët e mëngjesit të së mërkurës.
Me afrimin e orës 10:00, numri i qytetarëve në sheshet e Prishtinës ka ardhur duke u rritur.
Fotografi i Telegrafit, Ridvan Slivova, sjell pamje nga sheshet e kryeqytetit, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur në pritje të vendimit për ish-krerët e UÇK-së. /Telegrafi/





