Rreth 500 mijë persona kanë paguar për para-porositjen e telefonit të paralajmëruar “Trump Mobile”, një projekt i prezantuar nga presidenti amerikan Donald Trump afro një vit më parë, i cili u promovua si një pajisje luksoze dhe unike në tregun e teknologjisë.
Sipas raportimeve të NBC News, konsumatorët kanë derdhur rreth 59 milionë dollarë në total për këtë iniciativë, duke besuar se do të merrnin një telefon të ri të markës së lidhur me emrin e Trumpit.

Megjithatë, deri më tani nuk është dorëzuar asnjë njësi e pajisjes.
Situata ka ngritur pikëpyetje të mëdha, pasi projekti nuk ka dhënë asnjë përditësim konkret mbi prodhimin apo shpërndarjen e telefonit.
Për më tepër, data e planifikuar e prezantimit është larguar plotësisht nga faqja zyrtare e projektit, duke shtuar pasigurinë për konsumatorët që kanë bërë porosi paraprake.
Në kushtet e përditësuara të shërbimit thuhet qartë se pagesa e depozitës nuk garanton që telefoni do të prodhohet ose do t’u dorëzohet klientëve në të ardhmen. Kjo dispozitë ka shkaktuar shqetësime mes atyre që kanë investuar para në projekt, duke ngritur debat mbi transparencën dhe seriozitetin e tij.
Deri tani nuk ka një shpjegim zyrtar për vonesat apo mungesën e produktit, ndërsa projekti vazhdon të mbetet i paqartë dhe pa një afat të ri të konfirmuar për realizim. /Telegrafi/





