Një futbollist i Republikës së Irlandës ka dalë publikisht kundër zhvillimit të ndeshjes së ardhshme ndaj Izraelit në Ligën e Kombeve.
Mesfushori i Bristol Cityt, Jason Knight, e bëri të qartë qëndrimin e tij pas humbjes 1-0 të Irlandës ndaj Kosovës në Prishtinë, duke thënë se, sipas tij, ndeshja ndaj Izraelit nuk duhet të zhvillohet.

“Është e vështirë. Trajneri, Dara dhe Nathan folën mirë për këtë. Nuk mendoj se ndeshja duhet të zhvillohet, por ajo do të zhvillohet”, deklaroi Knight.
Futbollisti 25-vjeçar tregoi se çështja është diskutuar edhe mes lojtarëve dhe se Kombëtarja irlandeze do të zhvillojë një bisedë më të detajuar për të përcaktuar qëndrimin e përbashkët.
“Do të flasim më thellë për këtë dhe se çfarë do të thotë. Do t’i shprehim mendimet tona si grup dhe pastaj do të vendosim”, shtoi ai.
Kapiteni i përkohshëm Dara O’Shea kishte bërë të ditur se lojtarët do të mblidheshin të premten për të diskutuar situatën dhe mënyrën se si do të veprojnë rreth ndeshjes.
Përballja e parë mes Irlandës dhe Izraelit do të zhvillohet të dielën në Debrecen të Hungarisë, pa praninë e tifozëve irlandezë. Ndeshja e kthimit do të luhet më 4 tetor në Backa Topola të Serbisë.
Ndërkohë, transmetuesi irlandez RTE ka vendosur ta transmetojë ndeshjen pa komentatorë, ekspertë në studio apo programin e zakonshëm gjatë pushimit./Telegrafi/





