Liverpooli është në mesin e disa klubeve që po interesohen për rikthimin e mesfushorit Tyler Morton, vetëm një vit pasi anglezi u largua nga “Anfield”.
Morton iu bashkua Lyonit në Ligue 1 për rreth 17 milionë euro, pasi kishte kaluar 16 vjet në Merseyside, ku u zhvillua në akademinë e klubit përpara se të debutonte me ekipin e parë në një ndeshje të Carabao Cup ndaj Norwich Cityt në shtator të vitit 2021.

23-vjeçari më pas bëri 14 paraqitje për “Të Kuqtë”, ndërsa kaloi dy sezone në huazim në Championship. Në sezonin 2022/23 luajti te Blackburn Rovers, ndërsa në 2023/24 punoi nën drejtimin e Liam Rosenior te Hull City.
Largimi i Mortonit u miratua nga Arne Slot, pasi anglezit nuk iu garantua një vend në planet e trajnerit holandez për ekipin e parë sezonin e kaluar. Në vend të tij, Slot preferoi lojtarë si Dominik Szoboszlai, Alexis Mac Allister dhe Ryan Gravenberch në mesfushë.
Megjithatë, duket se dy herë kampionët e Premier League tashmë mund të jenë duke u penduar për atë vendim, pasi Morton është shndërruar në një prej mesfushorëve më të mirë në Evropë gjatë aventurës së tij në Francë. Ai ka zhvilluar 53 paraqitje në të gjitha garat dhe ka kontribuar me gjashtë gola ose asistime.
Madje, pas paraqitjeve të tij te Lyoni, është diskutuar edhe mundësia që Morton të bëhet pjesë e kombëtares së Anglisë të Thomas Tuchelit, pasi është konsoliduar në qendër të planeve të Paulo Fonsecas.
Mesfushori 23-vjeçar ka tërhequr vëmendjen e shtatë klubeve angleze, sipas TEAMtalk. Liverpooli është bashkuar me Nottingham Forest, Crystal Palace, Brighton, Newcastle, Sunderland dhe Everton në garën për nënshkrimin e tij.
Aftësia e Mortonit për të luajtur në qendër të mesfushës dhe përvoja e tij në rritje në nivelin më të lartë thuhet se e kanë bërë atë një opsion tërheqës për klubet që kërkojnë një lojtar të aftë për të dhënë ndikim të menjëhershëm./Telegrafi/





