Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar në mënyrë jo direkte lidhur me raportimet e fundit se ai nuk është në mesin e 10 kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Hoti përmes një postimi në Facebook është shprehur se numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët”, ka shkruar Hoti.
Ndërkohë kujtojmë që sonte në mesnatë përfundon afati i përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për partitë politike që t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë.
Lidhur me këtë proces, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi për Kosova Press ka thënë se kandidatët për deputetë do t’iu nënshtrohen verifikimit institucional, e në mesin e tyre do të jetë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Në mesin e institucioneve nga të cilat KQZ do të kërkojë verifikim të kandidatëve është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, andaj për zbatimin e këtij kriteri ligjor, KQZ-ja do të kërkojë nga KGjK-ja verifikimin e listës së kandidatëve për të konstatuar nëse ndonjëri prej tyre bie ndesh me këtë kufizim”, tha Elezi.
Më 7 qershor do të mbahen zgjedhjet parlamentare për zgjedhjen e presidentit, ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit është Albulena Haxhiu, e cila njëkohësisht mban postin edhe të kryetares së Kuvendit.





