Aktorët kryesorë të vazhdimit të shumëpritur “The Devil Wears Prada 2” kanë arritur një marrëveshje financiare që po bën xhiron e mediave. Sipas raportimeve të Variety, Meryl Streep, Anne Hathaway dhe Emily Blunt kanë negociuar që të paguhen njësoj për rikthimin e tyre në rolet ikonike.
Të tria aktoret, të cilat rikthehen si Miranda Priestly, Andrea Sachs dhe Emily Charlton, kanë arritur një pagë bazë të barabartë prej 12.5 milionë dollarësh (11.5 milionë euro) secila. Marrëveshja është bërë përmes një kontrate të tipit “favored nations”, që do të thotë se secila palë përfiton të njëjtin kompensim dhe asnjëra nuk paguhet më pak se tjetra.
Përveç pagesës bazë, ato pritet të përfitojnë edhe nga bonuset e lidhura me suksesin në kinema. Me këto stimuj, raportimet sugjerojnë se secila mund të kalojë shifrën e 20 milionë dollarëve (18.4 milionë euro) në total.
– YouTube youtu.be
Regjisori David Frankel ka pranuar se një pjesë shumë e madhe e buxhetit të filmit të ri është shpenzuar pikërisht për kastin, çka tregon përmasat e projektit dhe rëndësinë që studioja i ka dhënë rikthimit të emrave kryesorë.
Për krahasim, filmi i parë i vitit 2006 kishte një buxhet prej 35 milionë dollarësh (32.2 milionë euro) dhe arriti të gjenerojë në arkën globale 326 milionë dollarë (299.9 milionë euro).
Ndërkohë, për vazhdimin raportohet se buxheti ka shkuar në rreth 100 milionë dollarë (92 milionë euro), ndërsa të ardhurat e filmit kanë qenë shumë të larta që në nisje: vetëm fundjava e parë e shfaqjes thuhet se ka sjellë 230 milionë dollarë (211.6 milionë euro), me pritshmëri që filmi të arrijë së shpejti edhe shifrën 300 milionë dollarë (276 milionë euro) në nivel global.
Përfaqësuesit e 20th Century Studios dhe agjencisë CAA nuk kanë komentuar për këto detaje, por raportimet kanë mjaftuar për të ndezur diskutime në rrjet mbi pagesat e yjeve dhe fuqinë e franshizave të mëdha në industrinë e filmit. /Telegrafi/






