Gjinekologu nga Struga, Muhamed Asani, do të duhet të shkojë në burg, pasi Gjykata e Apelit refuzoi ankesën dhe konfirmoi dënimin me 3 vjet burg, të cilin ia shqiptoi Gjykata Themelore e Strugës.
Asani u dënua për rastin e lehonës nga Dibra, Jilldiz Veaposka, të ë cilës gjatë ndërhyrjes cezariane në vitin 2020, në spitalin e Strugës, iu hoqën tre organe: mitra, një vezore dhe një veshkë.
“Është konfirmuar aktgjykimi i shkallës së parë për të akuzuarin e parë, që do të thotë se në këtë pjesë aktgjykimi i shkallës së parë është bërë i formës së prerë. Sa i përket të akuzuarve të dytë dhe të tretë, ankesa e Prokurorisë Publike është pranuar dhe lënda është kthyer për rishqyrtim. Kjo nënkupton se për të akuzuarin e dytë dhe të tretë do të zhvillohet sërish gjykimi dhe ai do të fillojë nga e para,” deklaroi Sasho Janev, Avokat i Jildiz Veaposkës.
Gjykata e Apelit e ka konfirmuar edhe ndalimin për ushtrimin e profesionit të mjekut për 5 vjet. Avokati i Asanit, Igor Petkovski, paralajmëroi ankimim dhe shtyrje vuajtjes së dënimit deri në vendimin e Gjykatës Supreme.
Gjykimi i ri për të akuzuarin e dytë dhe të tretë, mjekët Blerton Asani dhe mjeken Liljana Jovanoska, fillon nesër. Gjykimi për Asanin zgjati plot 4 vite. /Alsat/






