Në Tiranë u mbajt finalja e edicionit të 23-të të festivalit “Netët e Klipit Shqiptar”, një prej evenimenteve më të rëndësishme dedikuar muzikës shqiptare.
Mbrëmja u zhvillua në Pallatin e Kongreseve dhe u transmetua drejtpërdrejt në “Vizion Plus”, duke mbledhur artistë dhe publik nga mbarë vendi.
I organizuar nga “Deliart Association” nën drejtimin e producentit Petri Bozo, festivali solli një natë të mbushur me energji, performanca live dhe emocione të shumta.
Në garë u përfshinë mbi 50 artistë, ndërsa çmimi më i rëndësishëm i mbrëmjes, “Klipi më i mirë në të gjithë komponentët”, iu dha Vlashent Satës dhe Mc Kreshës.
Çmime të tjera u shpërndanë në kategori të ndryshme muzikore, duke vlerësuar emra të njohur të skenës shqiptare.
Redon Makashi u nderua për ‘videoklipin më të mirë’, Vesa Luma dhe Ervin Qerimi u vlerësuan në kategorinë urban, ndërsa Shkumbin Ismaili fitoi çmimin për ‘baladën më të mirë’.
Në muzikën qytetare triumfuan Endri dhe Stefi Prifti, ndërsa Big Basta dhe Kelli u shpallën fitues në hip-hop.
– YouTube www.youtube.com
Në R&B u vlerësuan Stine, Grazia dhe Erion, kurse çmimi “Deliart” shkoi për Klejti Mahmutajn.
“Netët e Klipit Shqiptar” vijon të mbetet një platformë e rëndësishme për promovimin e videoklipit si pjesë thelbësore e industrisë muzikore shqiptare.
Për pesë javë rresht, publiku kishte mundësi të ndiqte dhe të votonte 50 videoklipet në garë. /Telegrafi/






