Poetja dhe shkrimtarja Mimoza Ahmeti ka sjellë një nga momentet më komike në Ferma VIP, teksa gjatë një sfide brenda fermës i është drejtuar me një “thirrje” të pazakontë kryeministrit Edi Rama.
E vendosur nën presion për të fituar sfidën e mbledhjes së lepujve, Ahmeti zgjodhi ta trajtojë situatën me humor, duke “kërkuar” ndihmën e Ramës përmes satelitëve imagjinarë “Albania 1” dhe “Albania 2”, si zgjidhje për lokalizimin e kafshëve.

“Kryeministër, a punon sateliti me i gjet pak lepujt e mi?… Lësho pak satelitin t’i kapin”, u shpreh ajo gjatë bisedës me konkurrentët, ndërsa shtoi se po “humbte pikë” në sfidë dhe ishte në minus.
Në të njëjtën bisedë, konkurrentja Sara e nxiti të kapte të paktën një lepur vetë, por Moza vijoi me batuta, duke insistuar se Rama “nuk lë gjë pa gjetur”.
“I them Edit unë, tani m’i gjen Edi në vend. Gjeji o vëlla gjeji, ti çfarë nuk gjen”, dëgjohet të thotë Ahmeti, duke e kthyer sfidën në një skenë plot ironi.
Por “kërkesa” e saj nuk u ndal me kaq. Në vazhdën e humorit, Mimoza kërkoi edhe ndihmën e platformës e-Albania, duke sugjeruar me ironi që lepujt të pajisen me certifikata identiteti, në mënyrë që të mos mbeten “me identitet të panjohur”.
“Dua shtatë certifikata lepujsh me e-Albania, ju lutem punon sistemi?… Shtatë certifikata lepujsh dua unë, t’i gjej identiteti se po kërkoj me identitet të panjohur”, tha ajo, duke shkaktuar të qeshura mes konkurrentëve.
Momenti është shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale, ku ndjekësit e emisionit e kanë komentuar si një nga skenat më spontane dhe argëtuese të Ferma VIP, duke vlerësuar stilin ironik të Ahmetit dhe mënyrën si e kthen çdo situatë në batutë. /Telegrafi/





