Fetoshi: Serbia po e përdor Këshillin e Sigurimit për propagandë kundër Kosovës

Drejtori i Instituti Octopus, Arben Fetoshi, ka akuzuar kryediplomatin serb se po vazhdon të përdorë Këshilli i Sigurimit i OKB-së si platformë për përhapjen e propagandës kundër Kosovës. Sipas Fetoshit, ky forum ndërkombëtar është shndërruar në një “echo chamber” të propagandës serbo-ruse, ndërsa ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, po vazhdon me narrativën e […]

Nacionale

Drejtori i Instituti Octopus, Arben Fetoshi, ka akuzuar kryediplomatin serb se po vazhdon të përdorë Këshilli i Sigurimit i OKB-së si platformë për përhapjen e propagandës kundër Kosovës.

Sipas Fetoshit, ky forum ndërkombëtar është shndërruar në një “echo chamber” të propagandës serbo-ruse, ndërsa ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, po vazhdon me narrativën e “viktimizimit”.

“Ministri i Jashtëm serb me reprizën e ‘viktimizimit’, duke dezinformuar për ‘diskriminim institucional, frikësim dhe presion sistematik’ ndaj serbëve në Kosovë. Edhe performanca e sotme ishte një farsë që bazohej në efektet e përsëritjes dhe në shfrytëzimin e seancës si platformë për ‘ndërkombëtarizimin’ e propagandës”, ka deklaruar Fetoshi.

Ai theksoi se pretendimet e palës serbe janë kundërshtuar drejtpërdrejt gjatë seancës, përfshirë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe nga shumica e vendeve anëtare.

Sipas tij, deklaratat për “incidentet etnike”, pretendimet për “respektim të së drejtës ndërkombëtare” dhe cilësimi i Forca e Sigurisë së Kosovës si faktor destabilizues janë hedhur poshtë gjatë diskutimeve.

“U dekonstruktuan aty për aty, jo vetëm nga kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca, por edhe nga shumica e vendeve anëtare”, ka shtuar ai.

Fetoshi bëri të ditur se një pjesë e madhe e shteteve pjesëmarrëse kanë kërkuar përgjegjësi nga Serbia për rastin e Milan Radoiçiq, ndërsa disa prej tyre kanë riafirmuar se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Në reagimin e tij, ai kritikoi edhe rolin e UNMIK, duke theksuar se raportet e këtij misioni po përdoren si bazë për narrativat propaganduese, ndërsa mungojnë mekanizma efektivë për të sanksionuar dezinformimin në këtë forum.

Sipas Fetoshit, Serbia e shfrytëzon këtë hapësirë për të amplifikuar narrativën e saj, me mbështetje edhe nga Rusia.

Ai shtoi se SHBA-ja kanë përsëritur kërkesën për mbylljen e UNMIK-ut, duke e cilësuar situatën si një “cirk absurd”.

Në fund, Fetoshi vlerësoi se mbyllja e UNMIK-ut do të reflektonte realitetin e Kosovës së pavarur dhe do të ndalte përdorimin e Këshillit të Sigurimit si platformë për narrativat manipuluese./Telegrafi.