Orav: Marrëveshja e 14 marsit e jashtëzakonshme, koha te ecet përpara edhe në dialog

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, e ka cilësuar marrëveshjen e 14 marsit si një hap të rëndësishëm që dëshmon se është e mundur të arrihen rezultate konkrete përmes dialogut dhe bashkëpunimit. “Marrëveshja e katërmbëdhjetë marsit ...

Nacionale

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, e ka cilësuar marrëveshjen e 14 marsit si një hap të rëndësishëm që dëshmon se është e mundur të arrihen rezultate konkrete përmes dialogut dhe bashkëpunimit.

“Marrëveshja e katërmbëdhjetë marsit është e jashtëzakonshme… ajo tregoi se është e mundur të bisedohet dhe të arrihet diçka”, ka deklaruar Orav.

Sipas tij, kjo marrëveshje është rezultat i një procesi ku të dyja palët kanë bërë kompromise, duke mos fituar gjithçka, por duke arritur progres.

“Të dyja palët u desh të lëshojnë për diçka dhe të mos fitojnë çdo gjë”, theksoi ai.

Orav vlerësoi se kjo marrëveshje ka krijuar një momentum të ri për të ecur përpara, jo vetëm në raportet mes Kosovës dhe BE-së, por edhe në procesin më të gjerë të dialogut.

“Kjo është një arritje e madhe dhe tregon se është e mundur të ecet përpara edhe në dialog”, u shpreh ambasadori.

Ai shtoi se tashmë fokusi duhet të jetë në zbatimin e saj, duke theksuar se ky është elementi kyç për suksesin e marrëveshjes.

“Tani është çështje e zbatimit – si palët do ta zbatojnë”, deklaroi Orav shkruan Telegrafi.

Ambasadori i BE-së bëri të ditur se marrëveshja e 14 marsit nuk është pjesë e dialogut klasik Kosovë–Serbi, por një proces i veçantë që megjithatë jep sinjale pozitive.

“Kjo marrëveshje nuk ka qenë marrëveshje e dialogut… por tregon se nëse ka vullnet të mirë, është e mundur të ecet përpara”, tha ai.

Orav shpjegoi se marrëveshja lidhet me zbatimin e ligjit për të huajt dhe çështje praktike në terren, përfshirë dokumentacionin dhe funksionimin e institucioneve në veri.

Ai e cilësoi këtë si një zhvillim pozitiv që ndihmon në shmangien e tensioneve dhe krijon kushte për stabilitet.

“Tani edhe popullata në veri e sheh se është e mundur të ecet përpara dhe të zgjidhen problemet”, theksoi ai shkruan Telegrafi.