Plazhet e Shqipërisë nën një marrëveshje të re administrimi, hyn në fuqi vendimi i qeverisë

Në Shqipëri ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë që përcakton modelin tip të marrëveshjes mes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe investitorëve strategjikë për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve si stacione plazhi.

Vendimi i qeverisë së Shqipërisë për modelin tip të marrëveshjes që do të lidhet mes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe investitorëve strategjikë për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve si stacione plazhi ka hyrë në fuqi sot.


Marrëveshja synon që hapësirat publike bregdetare të kenë një administrim më të regullt, si edhe të garantohet siguri për pushuesit.

Sipas rregullave të reja, tarifa për përdorimin e brigjeve, liqeneve dhe lumenjve si stacione plazhi do të jetë e njëjtë me tarifën e përcaktuar nga këshilli bashkiak përkatës dhe do të indeksohet çdo vit në bazë të normës së inflacionit, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave.

Përllogaritja e tarifës së indeksuar do të kryhet nga institucioni përgjegjës, ndërsa brenda muajit tetor të çdo viti përdoruesve do t’u dërgohet fatura përkatëse për pagesë, e cila duhet të shlyhet brenda 30 ditëve nga momenti i marrjes.

Marrëveshja përcakton gjithashtu të drejtat dhe detyrimet e institucioneve që administrojnë hapësirat bregdetare. Këto institucione kanë të drejtë të monitorojnë respektimin e kushteve të kontratës në intervale tremujore gjatë vitit.

Ndërkohë, hapësira e plazhit duhet t’i dorëzohet përdoruesit brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes dhe të garantohet përdorimi i saj i qetë gjatë gjithë periudhës së kontratës.

Përdoruesit e stacioneve të plazhit do të kenë detyrimin të respektojnë kushtet e sigurisë dhe standardet e higjienës, të bashkëpunojnë me autoritetet përgjegjëse për kontrollin dhe inspektimin e aktivitetit turistik, si dhe të kenë të punësuar vrojtues plazhi gjatë gjithë sezonit turistik.

Certifikata e kualifikimit të vrojtuesit, së bashku me dokumentacionin përkatës të subjektit, duhet të afishohet në mënyrë të dukshme.

Në rast shkeljesh, marrëveshja parashikon edhe penalitete financiare. Ushtrimi i aktivitetit jashtë sipërfaqes së përcaktuar në kontratë dënohet me gjobë 150 euro, ndërsa mosmirëmbajtja ose ndotja e hapësirës së plazhit dënohet me 200 euro.

Po ashtu, mungesa e vrojtuesit të plazhit dënohet me gjobë 200 euro, e cila në rast përsëritjeje shkon deri në 400 euro.

Marrëveshja parashikon edhe rastet kur ajo mund të zgjidhet para afatit, përfshirë situatat kur përdoruesi nuk përmbush detyrimet kontraktore apo në rast force madhore që pamundëson ushtrimin e aktivitetit.

Në përfundim të kontratës përdoruesi është i detyruar të kthejë hapësirën e plazhit në gjendjen fillestare, ndërsa investimet e kryera nuk kompensohen financiarisht nga pala dhënëse.

Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe synon rritjen e standardeve të sigurisë, higjienës dhe administrimit të hapësirave bregdetare, si dhe përmirësimin e shërbimeve për pushuesit./ATSH