Rabit Veseli emërohet drejtor i shkollës “Sami Frashëri” në Lluçan

Ministria e Arsimit e Serbisë ka emëruar Rabit Veselin drejtor të shkollës fillore “Sami Frashëri” në Lluçan, komuna e Bujanocit, për një mandat katërvjeçar.

Emërimi erdhi pas një procesi institucional. Në dhjetor të vitit 2025, Veseli mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Këshillit të Arsimtarëve dhe të Këshillit të Shkollës. Procesi u pasua edhe me mendimin pozitiv të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Vendimi përfundimtar nga Ministria e Arsimit u mor më 12 mars.

Rabit Veseli ka lindur më 12 maj 1963 në Lluçan të Bujanocit. Arsimin fillor e kreu në shkollën “Sami Frashëri”, ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin “Sezai Surroi” në Bujanoc. Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës.

Karrierën si mësimdhënës e nisi në vitin 1990 në shkollën “Sami Frashëri”, ku punoi deri në vitin 1999. Më pas, nga viti 1999 deri në vitin 2003, punoi në Shkollën e Mesme Teknike “Hasan Tahsini” në Kastriot.

Ai ka qenë edhe më herët drejtor i shkollës “Sami Frashëri”, nga viti 2003 deri në vitin 2012.

Përveç punës në arsimin parauniversitar, Veseli ka ligjëruar edhe në arsimin e lartë, përfshirë Kolegjin “Universi” dhe Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës.

Me këtë emërim, Veseli rikthehet në krye të shkollës ku ka punuar dhe drejtuar më parë, ndërsa mandati i ri pritet të fokusohet në zhvillimin e mëtejshëm të arsimit në këtë institucion.