Kandidati për asistent në FIEK ankohet për rezultatet e konkursit, pretendon padrejtësi në vlerësim

Kandidati për pozitën e asistentit në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) në Universitetin e Prishtinës, Blend Berisha, ka reaguar publikisht pasi kandidatura e tij u refuzua në konkursin për asistencë në lëndët Sisteme Operative, Cloud Computing dhe Qarqe Elektrike.

Berisha pretendon se kundërkandidatja e pranuar ka pasur notë mesatare më të ulët gjatë studimeve – 9.4 krahasuar me 9.8 – si dhe, sipas tij, nuk ka publikime shkencore që lidhen drejtpërdrejt me fushën ku ka aplikuar.

Sipas tij, kandidatja ka prezantuar në dy konferenca nga fusha e energjisë së ripërtëritshme, të cilat, sipas Berishës, nuk janë të indeksuara në platforma ndërkombëtare si Scopus apo Web of Science, megjithatë ajo ka marrë pikët maksimale për kontribut shkencor.

Berisha thekson se vetë ka publikuar dy punime shkencore në revista ndërkombëtare që lidhen drejtpërdrejt me fushën e Cloud Computing dhe sistemeve të shpërndara, të indeksuara në platforma si Scopus dhe Web of Science, të cilat, sipas tij, janë cituar mbi 350 herë.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se tema e tij e masterit trajton një analizë eksperimentale të protokolleve të komunikimit në sistemet e shpërndara dhe është në proces publikimi në një revistë ndërkombëtare, ndërsa pretendon se tema e masterit të kandidates së pranuar nuk lidhet me lëndët për të cilat është hapur konkursi.

Sipas tij, kundërkandidatja ka qenë e angazhuar si asistente për disa semestra më parë, por sipas tij, ajo ishte pranuar atëherë pasi në konkurs nuk kishte pasur kandidatë të tjerë.

Në reagimin e tij, Berisha thotë se ky rezultat përbën jo vetëm një zhgënjim personal, por edhe një mesazh negativ për studentët që besojnë se puna akademike, mesatarja e lartë dhe kërkimi shkencor janë faktorët kryesorë për avancim në karrierë.

Ai shton se vendime të tilla mund të vënë në pikëpyetje integritetin dhe profesionalizmin e Universitetit të Prishtinës.

Deri më tani, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me këto pretendime.