Nata e Zjarreve” në Prekaz përmbyll aktivitetet e Epopesë së UÇK-së

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kulmoi sonte në Prekaz me ceremoninë tradicionale të Natës së Zjarreve, një nga momentet më simbolike të përkujtimit të rënies heroike të familjes Jashari.

Në 28-vjetorin e kësaj ngjarjeje historike, qytetarë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën në Kompleksin Memorial në Prekaz për të nderuar sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari që ranë për lirinë e Kosovës.

Ceremonia u zhvillua në zemrën e Prekazit. Pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës ndezën flakadanin pranë Kullës së Lirisë, duke nisur kështu ritin tradicional të Natës së Zjarreve. Pas nderimit që i bënë kullës, ata marshuan drejt vendit ku prehen dëshmorët e kombit, pranë varreve të komandantit legjendar Adem Jashari, bacës Shaban, Hamzës, dajës Osman dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të familjes Jashari.

Flakadanë u ndezën edhe pranë shtëpisë së heroinës Nënë Shkurte dhe tek bunkeri i komandantit Adem Jashari. Nga këto tri drejtime, nga kullat e Jasharajve, nga shtëpia e Nënës Shkurte dhe nga bunkeri, pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës u nisën drejt një pike të përbashkët, duke simbolizuar bashkimin e forcave që luftuan për lirinë e vendit.

Në këtë marshim simbolik u bashkuan edhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët konsiderohen vazhdimësi e Ushtrisë së Kosovës si dhe qytetarë, nxënës dhe të rinj nga kjo trevë. Të gjithë së bashku marshuan drejt vendit ku ranë dëshmorët e kombit.

Nxënësit e shkollës “Hamzë Jashari” u rreshtuan me respekt para varrezave për të bërë nderime. Ata vendosën lule një nga një mbi varret e heronjve të familjes Jashari, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për sakrificën e tyre.

Flakadanët e ndezur gjatë ceremonisë simbolizojnë përhapjen e zjarrit të lirisë dhe të luftës çlirimtare gjithandej Kosovës.

Ndërsa, zjarri më i madh që ndizet gjatë kësaj nate përfaqëson zjarrin e pushkës së komandantit legjendar Adem Jashari, simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri.