Zelensky kërkon Starlink me qasje në territorin rus

Bota

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se vendi i tij mund të shkatërrojë sistemet ruse për lëshimin e raketave balistike nëse pajiset me qasje në shërbimin satelitor Starlink edhe në territorin e Rusisë. “Na jepni Starlink me mundësi funksionimi në territorin rus dhe ne do t’i shkatërrojmë sistemet e tyre për lëshimin e raketave […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se vendi i tij mund të shkatërrojë sistemet ruse për lëshimin e raketave balistike nëse pajiset me qasje në shërbimin satelitor Starlink edhe në territorin e Rusisë.

“Na jepni Starlink me mundësi funksionimi në territorin rus dhe ne do t’i shkatërrojmë sistemet e tyre për lëshimin e raketave balistike”, ka deklaruar ai.

Lideri ukrainas e ka cilësuar ndërprerjen e shërbimit Starlink si një gabim shumë serioz, duke theksuar rëndësinë e këtij sistemi për operacionet ushtarake të Ukrainës.

Duke folur për krizën e naftës, presidenti ukrainas tha se shkaqet e saj lidhen me zhvillimet në Lindjen e Mesme, veçanërisht me Iranin, dhe jo me Ukrainën.

Zelensky foli edhe për marrëdhëniet me presidentin amerikan, Donald Trump, duke thënë se është partner i sinqertë i Shteteve të Bashkuara për shkak të rëndësisë strategjike të Ukrainës, e jo për shkak të simpative personale.

Ai gjithashtu deklaroi se asnjë vend evropian nuk është në gjendje të mbrohet i vetëm nga raketat dhe dronët iranianë me rreze veprimi mbi 4 000 kilometra. Sipas tij, Ukraina është e gatshme të ndajë informacionin e nevojshëm për t’i ndihmuar partnerët evropianë.

Sa i përket politikës së brendshme, Zelensky tha se nuk synon të qëndrojë president për shumë vite, ndërsa vlerësoi se diskutimet për zgjedhje në këtë moment janë të gabuara.

Presidenti ukrainas e cilësoi presidentin rus, Vladimir Putin, si armik të Ukrainës dhe kritikoi marrëdhënien e tij me Trumpin, duke e quajtur gabim miqësinë mes dy liderëve.

Në fund, Zelensky theksoi se fuqia ushtarake nuk kufizohet vetëm te armët fizike, por përfshin edhe burimet financiare që mundësojnë blerjen e tyre. /Telegrafi/

Komentet